Kujtimet të trishtojnë

Ornela

Ke dëshirë për të jetuar,
Në dy skaje shekullorë,
Kur sheh sy të yllëzuar,
Gjinj të ndritur qumështorë!

Para syve të përmbyset,
Kupë e ndritur qiellore,
Kur sheh jetën si harliset,
Nëpër kurmet vashërore!

Bukuria e përsosur,
Gjendet veç te vashëria,
Ndaj si dhimbje e pasosur,
Më sëmbon në shpirt rinia!

Shkon dhe çasti i tanishëm,
Shkon e më nuk kthehet kurrë,
E në qoftë i magjishëm,
Ta mban shpirtin në torturë!

Vjen një çast që as Veriun,
S’tregon busulla në jetë,
Dhe kujtimet për njeriun,
Bëhen vrasës të vërtet!

Kur veniten vezullimet,
Kur burimet krejt shterojnë,
Sido që të jenë kujtimet,
Ato vetëm të trishtojnë!

Rroj me Krishtin…

Nuk më përkëdheli fati,
Kalova kurthe dhe prita,
Kush s’më do, iu shtoftë inati,
Kush më do, iu shtoftë dita!

Dhjetë vjet në buzë të varrit,
Po logjikën kurrë s’e humba,
Në kudhër të farkëtarit,
Gdhenda këngë, s’derdha plumba!

Dhembjet ferr, po nuk e ktheva,
Jetën në një shkretëtirë,
Të bën dhembja që rrëfeva,
Më të dashur, më të mirë!

Nuk se mbeti çdo gjë mbrapa,
U sosën dhimbjet e zemrës,
Po pas jetës unë u kapa,
Si foshnja në gji të nënës!

Ndonjëherë dhe jam dorëzuar,
Se njeri jam natyrisht,
Po në çast në këmbë jam çuar,
Kur mendoja zotin Krisht!

Krisht e shpirt ti je me mua,
E kam thënë herë pas here,
Para dhembjeve të tua,
Tonat janë fllade vere!

Më për dhembjet s’bëj çudi,
Që shkenca nuk i mund dot,
Që në dhimbje çdo njeri,
Të mendojë të madhin Zot!

Të kujtojë të madhin Zot,
Të paepur në torturë,
Të mos përkëdhelet kot,
E të thotë se jam sëmurë!

Arben Duka

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *