Kujtimi i Alfred Uçit, në 90-vjetorin e lindjes

Ornela

Esteti dhe kulturologu i pashoq

Sot, më 15 dhjetor 2020, akademiku Alfred Uçi ka 90-vjetorin e lindjes. Nuk kishim si ta kalonim në heshtje këtë datë për një ndër miqtë e afërt dhe bashkëpunëtor i rregullt i gazetës DITA. Prof. Alfred Uçi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën tonë kombëtare si estet dhe filozof dhe për të është shkruar e do të shkruhet në vijimësi edhe në të ardhmen. Por në këtë përvjetor të ditëlindjes së tij, po risjellim në kujtesën e lexuesve një shkrim të eruditit Moikom Zeqo, shkruar më 18 shtator 2003, ku përshkruhet esencialisht personaliteti i Prof. Uçit.  

Moikom Zeqo

Kam në duart e mia prapë  librin “Universi estetik i antikitetit greko-romak” të Prof. Alfred Uçit.

Prej shumë vitesh i lexoj me sy kërkimtarë koleksionin e librave të profesorit dhe mikut tim, Alfredit.

Nëse De Rada në shek. XIX botoi traktatin e parë për estetikën, duke u bërë kështu një pionier i një hullie dhe mjeshtërie mendore të panjohur më parë për shqiptarët, në shek. XX Alfred Uçi u bë në Shqipëri zëri përurues i institucionalizimit të estetikës si shkencë e mëvetësishme. Librat e tij të rrafshit të leksioneve dhe të arsimit të lartë universitar qenë një paraqitje e arritjeve të mendimtarëve të ndryshëm për estetikën në përgjithësi.

Kjo punë e thukët dhe e shumëfishtë qe e dobishme në kuadrin kombëtar si dhe të familjarizimit të terminologjisë estetike, të nocioneve dhe të kategorive estetike në kulturën shqiptare.

 

***

Uçi kështu, është një ndërlidhës me një erudicion të veçantë dhe me sa duket i tillë mbetet, në mënyrë unike si një estet i mirëfilltë në letrat tona.

Padyshim që shkenca e estetikës është institucionalizuar vonë edhe në kulturën botërore.

Termi estetikë është përuruar Baungarden në shek. XVIII.  Një rol kolosal në formalizimin e kategorive estetike ka luajtur Hegeli. Padyshim në shekujt e mëpasshëm lindën dhe krijuan estetë të mëdhenj, veprat e të cilëve për fat të keq ende janë pak të njohura në Shqipëri.

Kështu Uçi synoi të na paraqiste shkencën e estetikës ndërmjet prizmit të tij, duke parashtruar informacionin e tij.

Mendja kulturologjike e Uçit ka gjeneralizuar kështu një paraqitje të përzgjedhur dhe të kujdesshme të rrymave, prirjeve dhe shkollave të panumërta estetike.

Kjo është merita e tij e jetës.

 

***

Duke lexuar me kujdes librin “Universi estetik i antikitetit greko-romak” kuptova se tashmë pas një përvoje shumë të madhe përsiatjes, Uçi synon të rikonstruktojë një arkeologji të estetikës.

Tri vëllimet e mëparshme të Uçit për estetikën janë një trashëgimi. Padyshim që nëpërmjet dialektikës të tezave dhe antitezave Uçi flet për të ashtuquajturat “të vërteta absolute” si dhe për të ashtuquajturat “të vërteta relative”.

Nuk mund të ketë një modus, apo një arketip shterues në këtë pikë. Nuk mund të ketë asnjë cak kronologjik të institucionalizimit të estetikës as në shekullin konvencional XVIII.

Libri më i ri i tij kërkon të bëjë në mënyrë krijuese një kthim jo vetëm para shek. XVIII, por të synojë lashtësinë, ku mendimtarë të ndryshëm kanë formuluar ide dhe koncepte të një estetike të painstitucionalizuar, madje dhe të një paraestetike.

Uçi e ka kthyer vështrimin drejt historisë së ideve, duke mbajtur qëndrim rivlerësues drejt hapësirave muzeore dhe arkeologjike të estetikës.

 

***

Postulati që thotë se “Pa histori nuk ka as teori” është i dyfishtë, sepse “pa teori nuk ka histori”.

Duket sikur estetika është e dyzuar, ajo është teori e estetikës dhe njëkohësisht histori e estetikës.

Kufiri midis këtyre dy nocioneve nuk është as ambikuid dhe as tautologjik.

Historia e estetikës është vetënjohje e estetikës, ashtu si biografia e njeriut është njëkohësisht vetë vlera e personalitetit të njeriut.

A është historia e estetikës shkencë?

A është vetë historia shkencë?

Opinionet janë të ndryshme në substancë historia përherë e më shumë mëton të jetë shkencë, pa harruar lidhjet me shkencat ekzakte, pa harruar lidhjet me vlerësimin ontologjik, gnoseologjik, por edhe estetik. Bertold Brehti në traktatin e tij të famshëm “Organoni i ri” citon një mendim të Albert Ajnshtajnit, i cili ka thënë se edhe në formulat e matematikës ka një vesk estetik, madje dhe një strukturë të shijes estetike të mirëfilltë.

Oskar Uajldi i jep përparësi estetikës së natyrës dhe ngulmon për vlerat estetike të Diellit mbi peizazh.

Pra estetika në një farë mënyre buron nga natyra dhe ekziston përpara vetë lindjes së njeriut dhe të shkrimit.

Estetika artistike është kështu jo vetëm reflektuese, por edhe krijuese në mënyrë të habitshme në imagjinatën e pamatë dhe të pakufizuar jo vetëm të njeriut artist por edhe të njeriut të thjeshtë.

 

***

Në ditët e sotme flitet jo vetëm për botën virtuale, por edhe për estetikën virtuale. Strukturat dixhitale sot janë të mahnitshme, kurse estetika e filmit hollivudian ka bërë mrekullira të paimagjinueshme, duke revolucionarizuar ide estetike, duke i zhveshur nga akademizmi barok dhe ilustrativ.

Libri më i fundit i Uçit na rikthen te antikiteti greko-romak, që sipas Thomas Eliotit përbën një nga fermentet më autentikë të kulturës evropiane së bashku me kulturën e krishterimit dhe të ideve të reja të Revolucionit Francez.

Alfred Uçi ka shkruar këtë libër për të përshkruar si një mikpritës dhe nikoqir i mirë paradhomën e madhe në formë tempulli që të çon te estetika institucionale.

Ky libër bazohet mbi veprat e mendimtarëve antikë si dhe të komenteve të skajëzuar për ta.

Kultura greko-romake është një emërtim konvencional, ashtu siç është një matricë globale dhe i ashtuquajturi helenizëm mesdhetar dhe evropian.

Rikonstruktimi i estetikës bazohet sipas Uçit në një rishikim të veprave të filozofëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj të antikitetit, në një rikonceptim të trashëgimisë kolosale artistike jo vetëm në letërsi por dhe në dëshmitë arkeologjike të arkitekturave, skulpturave, mozaikëve dhe afreskeve të lashtë.

 

***

Ideja themelore e Uçit është se megjithëse nuk kemi në këtë epokë traktate estetikë të mëvehtëshme mund të dallojmë në hibridizimin e ideve filozofike dhe shoqërore mineralet e rralla të estetikës, siç mund të gjenden në shkëmbejtë përqindjet e platinit, arit, apo të kobaltit. Kemi kështu një mineralogji të estetikës si dhe një përpjekje për një fonderi të estetikës.

Këtu bazohet roli i vetëdijshëm i hulumtuesit.

Libri është i ndarë në sythe studimorë.

Pas një hyrje me nota rrëfyese dhe parashtruese, flitet për estetikën e antikitetit, për estetikën e periudhës arkaike, klasike dhe helenistike, për ndërthurjen e filozofisë me estetikën, për idetë e sofistëve, për estetikën e Sokratit dhe të sokratikëve, shkollës cinike dhe asaj kirenaike, për estetikën e Platonit, të Aristotelit, të Platinit, të epikurizmit, stoicizmit, skepticizmit si dhe të estetikës të eklektizmit të Ciceronit.

Kjo gjedhe autorësh antikë përbën një strukturë të pamohueshme. Por Uçi merret dhe me konceptet teorike mbi antikitetin të bëra më vonë nga Vinkelman, Lesing, Shiler, Sheling, Hegel, Marks, Niçe, Shpengler, A.P.Vllosev si dhe Elie Fog. Në fund të librit është një bibliografi kryesore me karakter orientues.

 

***

Libri ka një tipologji enciklopedike.

Aty ka edhe tekste plotësuese të autorëve antikë, të përzgjedhura nga Uçi, për të krijuar kështu një krestomaci të antikitetit.

Nga pikëpamja ikonografike libri ilustrohet nga një numër i madh fotografish, kryesisht nga veprat më të famshme dhe më të spikatura të antikitetit botëror.

Nën nismën e tij Uçi ka bërë një sfidë.

Është një sfidë e lavdërueshme dhe kuptimplote. Ai ka ecur në shtegun tepër të vështirë të arkeologut dhe të historianit të artit, njëkohësisht të mjeshtrit antologjik.

Libri prej 412 faqesh është në shumë pikëpamje koncentrimi i krijimtarisë së mëparshme të Uçit. Është një sukses për të dhe për mendimin shqiptar.

Duke rekomanduar këtë libër që ta lexojnë të gjithë është e nevojshme të bëjmë një shpjegim.

Mënyra e parashtrimit është e lirë, jo e ngurtë, pa klasifikime të rrepta, sepse siç ka thënë Bllejku “Çdo përkufizim është një kufizim”. Padyshim që idetë estetike kanë lindur me vetë njeriun.

Njeriu prehistorik i shpellave të Altamarit në Spanjë dhe Leskosë në Francë si dhe të shpellës së Lepenicës në Shqipëri kanë dëshmuar në afresket e tyre të gurit ide parake estetike me një interes kolosal.

Të mos harrojmë që Uçi mund të na shkruajë një libër dhe për kulturën e madhe të Lindjes me artin shumer, akad, babilonas, persian, kinez, japonez, egjiptian, të artit Parakolumbian në Amerikë si dhe të kulturës Vudu të Afrikës së Zezë, pa harruar dhe artin shumë të çuditshëm të indigjenëve të Australisë.

Secila nga këto tema do të përbënte një libër më vete.

Një libër i mrekullueshëm mund të bëhej për estetikën e materializuar të veprave të artit në Shqipëri në periudhën prehistorike, arkaike, klasike si dhe të helenizmit, apo të artit greko-romak, të mozaikëve të famshëm të Antikitetit të Vonë dhe të ikonografisë mahnitëse të Onufrit, Nikollës, Onufër Qipriotit, Konstandin Shpatarakut, Çetirëve, Zografëve dhe David Selenicës.

 

***

Nyjet kronologjike në jetën e një njeriu janë të pakrahasueshme me një stacion ku mbërrihet gjatë një udhëtimi të gjatë.

Padyshim, në të gjitha kuptimet jeta e çdo njeriu është një udhëtim jo thjesht linear, drejtvizor, por më shpesh i ndërlikuar, i shumëfishtë, me arritje dhe dilema, me qëllime të larta, me sakrifica dhe përkorje, me boshllëqe, herë herë dyzime por dhe mbijetesë.

Në Shqipërinë e sotme që mund të mbiquhet mjerueshëm si Shqipëria e Krizës, intelektualët e shquar përjetojnë gjithçka.

Ata e përjetojnë dilemën dhe paradoksin më ndjeshëm ndoshta nga të gjithë.

Por ata nuk vegjetojnë, kalendari i tyre i jetës nuk është thjesht një shfletosje e ditëve dhe netëve monotone dhe të padurueshme nga njëra tjetra.

Ata krijojnë dhe këtu nis diçka madhështore për vetë Shqipërinë. Nëse Shqipëria nuk do të kishte krijues, ahere Shqipëria do të formalizohej në një emër shterpë, në një simbol pa individualitet, në një vend pa shpirt, në një trup të vdekur, që nuk dihet se kujt i takon.

Krijuesit e ringjallin çdo ditë pak e nga pak për të arritur që ta ringjallin përfundimisht.

Në këtë hulli të mistereve të shpirtit intelektualët e vërtetë janë ata, që nuk dinë të plaken dhe për të mos u habitur askush ndoshta dhe nuk dinë të vdesin.

Nëse thuhet se jeta është një stërvitje për të vdekur, mund të shtohet si një nocion përballues edhe se kultura është një stërvitje për të mos vdekur.

 

***

Alfred Uçi është miku im i kahershëm, e njoha nga afër, tashmë mund të thuhet që prej viteve kur isha student i tij e dro ne vdekjen e tij,- pjesa më e madhe e jetës time është e tillë, -ku një nga njohjet me intelektualët e mirëfilltë të Shqipërisë ka qenë dhe ajo me Alfred Uçin.

Nuk dua të bëj apologjinë, as të ndez fishekzjarre ceremoniale  sidomos pas vdekjes para dy vitesh  ( mbyllli syte ne 26 tetor 2016)  për të. Kjo gjë është e panevojshme.

Kujtesa është subsatnciale per figurën e tij te paperseriteshme!

 

***

Alfred Uçi nuk është nga ata që kërkonin të lavdëroheshin, Alfred Uçi është nga ata që kërkonte që të kuptoheshim.

 

***

Ai ka shkruar libra për të tjerët dhe ka të drejtë që të tjerët ta kuptojnë, ta vlerësojnë ose dhe ta kundërshtojnë, por kurrsesi indiferenca, që është një nga format më demoniake të injorancës të mos ishte e pranishme midis nesh, sepse tek kjo “ne” është dhe “ai”.

Kemi kështu një lidhje të brendshme, kemi kështu atë të vërtetë që duke cituar Shën Palin, mund të themi se asnjëri prej nesh nuk mund të lindë e nuk mund të vdesë pavarësisht nga njeri tjetri.

 

***

Alfred Uçi ka lindur në qytetin e Korçës, në gjysmën e parë të shekullit XX, tani jemi në vitin e parë të shekullit XXI, jeta e tij vetiake dhe krijuese ka përjetuar cakun e ndarjes së dy shekujve dhe të dy mijëvjeçarëve, pak a shumë si të gjithë ne.

Alfred Uçi është një dëshmitar i historisë. Po jo një dëshmitar i zakonshëm.

Ai ka një fotografi në moshën 14 vjeçare si partizan i vogël, do të thoja një fotografi emblematike.

Këtë fotografi atij ja bëri një korrespondent amerikan në tetor të vitit 1844 dhe u botua në gazetën shqiptaro-amerikane “Liria” në SHBA.

Këtë gazetë me fotografinë e botuar Alfredi ia dërgoi dajua i tij Dhimitri, i vëllai i Skënder Luarasit.

Fotografia kishte shoqëruar një reportazh të korrespondentit amerikan për antifashizmin shqiptar dhe për çlirimin e Shqipërisë.

Ky djalosh i ri që e njohu në një moshë kaq delikate antifashizmin, si një nga idetë më universale dhe më humaniste të njerëzimit, pati ëndrra të mëdha për të ardhmen.

Ai studioi në Universitetin Lomonosov në Moskë. Studios i madh, kureshtar i paepur, Alfred Uçi filloi të njohë universin e filozofisë, estetikës dhe kulturës botërore.

Student me të qenë disa filozofë që u bënë të njohur më vonë si Marab, Mamardashvili, gjeorgjian, i cili me librat e tij ka bërë “ferk” sidomos për emra të tillë si Dekarti dhe Kanti duke bërë rizbulime konceptuale për këta dy filozofë, një tjetër filozof qe Volodja Smirnovi, një nga logjistienët më të mëdhenj të shekullit XX, i cili është marrë me logjikën simbolike të aplikuar në kompjuterat, në ordinatorët dhe në sistemin e drejtimit të raketave kozmike, filozofë të tjerë si Cimerman, Rumjancev (dialekticien i biologjisë), Kozllov si dhe Lova Sparcova përbënin rrethin e miqve të Alfred Uçit.

 

***

Kur u kthye në Shqipëri Alfred Uçi njohu përvojën e gazetarisë dhe publicistikës, pastaj në arsimin universitar ai spikati si pedagog i filozofisë dhe estetikës.

Dua të veçoj këtu sferën e estetikës, mbasi Shqipëria ka patur një vakum për estetikën teorike.

Përveç një traktati estetik të De Radës, shqiptarët duket sikur nuk e kanë lëvruar mendimin estetik.

Ky është një paradoks i madh sepse nuk është e vërtetë që estetika ka qenë e huaj për shqiptarët.

Të jesh një pasardhës i De Radës nuk është pak, po atë që bëri Alfred Uçi mund të quhet një vepër pioniere, që i dha qytetarinë përfundimtare estetikës në Shqipëri.

Besoj që edhe kjo nuk është pak.

Alfred Uçi si intelektual është në kostelacionin e intelektualëve progresive të kombit shqiptar, ai e do Shqipërinë dhe është krenar që është shqiptar.

 

***

Vepra e tij e parë, që e bëri me emër është për Jani Vreton, rilindësin e ndritur. Kështu nis rrugëtimi në të fshehtat e kulturës së madhe i Alfred Uçit.

 

***

Unë atë do ta quaja kulturologun më të shquar shqiptar, atij i kanë interesuar historitë e qytetërimeve të botës, kulturat e ndryshme të shekujve të ndryshëm, kategoritë estetike të arteve, letërsia, proza dhe poezia, kultura dhe muzika, arkitektura, urbanistika etj.

Në librat e tij ka një informacion që duket se nuk ka kufi.

Është hera e parë që  ngjan një dukuri e tillë në letrat shqipe dhe duket se kjo është ndikuar drejtpërdrejtë nga shembulli i mrekullueshëm kulturologjik i Fan Nolit mbi Alfred Uçin.

Alfred Uçi është akademik, por të jesh akademik nuk do të thotë gjithmonë ne pambarim se je i tillë në të vërtetë.(ka dhe personalitete te rreme.)

Koha që është rrafshuese e sendeve hedh tej edhe mitet e kota dhe vlerat e paqena.

Jam i bindur që edhe në këtë rrafsh hierarkik të titujve të lartë do të ketë bjerrje, humbje, zbehje.

Koha ka një rregull të saj të brendshëm të rivlerësimit të njerëzve dhe të krijimeve, në fund të fundit ligji i pakundërshtueshëm i hierarkive kulturore është diçka që nuk varet as nga akademitë madje as nga vetë autorët e njohur ose të panjohur.

Jam i bindur që librat e akademikut te vërtetë, Alfred Uçit, do të ngjallin përherë interes madhor.

Kur lexon librat e tij të fundit si Prometeu dhe Hamleti (botuar në greqisht në Athinë), si dhe librat për Shekspirin, Danten, Dostojevskin etj., mund të thuhet se ky estet dhe kulturolog nuk kufizohet në subjekte të veçanta të qytetërimit shqiptar, por atij i intereson çdo gjë e madhe dhe spikatëse e qytetërimeve të botës.

***

Besoj se edhe në këtë fushë sprova e Alfred Uçit është gjithashtu noliane, por gjithsesi ai përsëri ka meritën e pionierit studiues gati pa një të dytë sot në letrat shqipe.

***

Por të gjithë librat, si të dukshmit edhe të padukshmit (të pabotuarit) janë vetë ai dmth vetë Alfred Uçi.

Share This Article
2 Comments
  • Jam i tmerresishte i trishtuar ,qe nuk tregohet asnji interes per kte shpirt intelekti arti njerezore .
    Po zhduket shpirti asaj shoqerie qe eshte
    Kultura e Artistit e Krijuesit ne vendin tim ,

    qe ka pak komentues te nji Pishtari te Literatures si Moikom Zeqo ,

    nga te vetmit ne ate vend qe gjithe jeten ja kushtoj ,ndricimit te Vlerave te Arkeologjise e Letersise Shqiptare .

    Ok un kuptoj qe asgje nuk imponohet sot, asgje , por
    me ben te vuaj kjo gjendje e shqiptarit ,

    kjo Agoni e Shoqerise Intelektuele e ne pergjithesi e shoqerise Shqiptare aty .

    Un s’dua te tem rrofte kujtimi i figures se ndrtitur te Moikomit sot ,sepse nuk dua ta besoj te vdekur ate .

    do ti uroje gjithmon Rrofsh Moikom …

  • Faleminderit per sjelljen e kesaj fotoje teper shprehese te te dy kolloseve te artit me se pari njerzillekut shqiptar; Alfred Uci e Moikom Zeqo.
    I perjetshem Kujtimi tyre.
    I .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *