Kukan: Presim zgjedhje normale dhe demokratike

redaktor

Ndërsa viti elektoral ka nisur me mosmarrëveshjet e para, Brukseli është i qartë kur thotë se nuk do të tolerojë zgjedhje jashtë standardeve në Shqipëri. Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, shprehet për “AS” se nuk ka justifikime që këto zgjedhje të devijonë nga pritshmëria e BE-së.

“Në Bashkimin Europian të gjithë presin që zgjedhjet e reja në Shqipëri të jenë të organizuara mirë e në përputhje me standardet europiane, që nga fushata e deri te numërimi i votave. Ka pasur mjaft kohë për të reformuar Kodin Zgjedhor në bazë të rekomandimeve të ODIHR-it. Pra, nuk ka mundësi që të kemi zgjedhje të këqija ose të paorganizuara sipas standardeve të kërkuara”,-tha ai.

I pyetur nëse fushata elektorale ka nisur më herët nga ç’duhet, Kukan e konsideroi këtë një gjë normale, gjithnjë nëse politikanët marrin përsipër përgjegjësite e tyre para dhe pas zgjedhjeve.

“Por kjo është normale. Është e rëndësisishme që politikanët të jenë të përgjegjshëm e të tregojnë përgjegjshmëri. Nuk do të ishte e pranueshme që vendi të kalojë ndonjë situatë dramatike pas zgjedhjeve. Pra, koha ka qenë e mjaftueshme si për politikanët ashtu dhe për forcat politike për t’i bërë të gjitha ndryshimet e domosdoshme Kodit Zgjedhor. Pra, unë po e përsëris edhe njëherë: ne presim zgjedhje normale dhe demokratike”,-theksoi Kukan.

Me gjithë rëndësinë që kanë për integrimin europian, zgjedhjet e 2013-ës kanë shënuar përplasjet e para ende pa u zhvilluar, siç janë kontestimet për ndarjen e ZAZ-ve dhe e mandateve të deputetëve.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *