Qindra banorë të Kukësit, ish-pronarë të tokave të përmbytura nga HEC-i i Fierzës, kanë protestuar dje në sheshin kryesor të qytetit, kundër fushatës së qeverisë për ndërprerjen e dritave. Banorët kanë kërkuar nga qeveria kompensimin e pronave të përmbytura dhe t’i jepet fund shtetit policor.
Sherif Kastrati, kreu i shoqatës, në emër të banorëve kërkoi që qeveria të njohë më parë dëmin që u ka shkaktuar e më pas të paguajnë energjinë elektrike. Nga ndërtimi i HEC-it të Fierzës u përmbytën 35 fshatra dhe qyteti i vjetër i Kukësit. Protesta zgjati një orë dhe nuk pati incidente.
