Kukës, vihet kabineti i kardiologjisë

redaktor

Të sëmurët me probleme kardiake në zonën e Kukësit nuk kanë nevojë të shkojnë drejt Kosovës apo Tiranës për të kryer vizitat e specializuara, sepse duke filluar nga dita e sotme, në spitalin e këtij qyteti është vënë në funksionim kabineti i ri i kardiologjisë. Rreth 250 të sëmurë kardiakë në javë, që ishin të detyruar ta kryenin diagnostikimin në Tiranë, Kosovë, apo në shërbimin jopublik me pagesë, i jep fund vajte-ardhjeve, mundimit dhe rritjes së kostos së shërbimit për ta dhe familjes së tyre.

Gjatë një vizite që ka kryer në spitalin e qytetit verior, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka pohuar se ky shërbim do t’iu vijë në ndihmë rreth 25 mijë banorëve të qytetit por edhe zonave përreth.

“Një kabinet i tillë është vendosur tashmë në çdo spital rajonal të vendit, dhe është në vazhdën e përpjekjeve tona për të ofruar shërbim shëndetësor cilësor. Është një investim rreth 6 milionë lekë, me pajisje bashkëkohore, që i shërben banorëve të Kukësit, ku janë rreth 250 të sëmurë kardiakë që nuk do të duhen të shkojnë në Tiranë për të kryer provën ushtrimore, janë rreth 1,000 vetë që duhet të bëjnë ECHO-n e zemrës që nuk do të shkojnë më në Tiranë”,  tha ai.

Më herët kreu i shëndetësisë ka kryer një vizitë edhe në qendrën shëndetësore të qytetit ku ka parë nga afër se si kryhet kontrolli bazë tek qytetarët. Mjekët kanë informuar se gjatë një dite realizohen mesatarisht 7-8 kontrolle bazë, ndërkohë që numri i përfituesve në këtë qytet është rreth 6300 persona, të cilët i përkasin kategorisë nga 40- 65 vjeç.

Ndërkohë që, deri në fund të muajit shkurt 2016, janë kryer gjithsej 898 kontrolle check-up për QSH-në Kukësit.  “Rreth 1,3% e rezultateve të kontrolleve në nivel kombëtar, kanë dalë pozitiv për ekzaminimin e feçes gjak-okult”, tha Beqaj, duke theksuar rëndësinë që po merr përditë kryerja e këtij kontrolli për moshat nga 40 në 65 vjeç.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *