Bashkia e Kukësit “braktis” klubin e qytetit verilindor. Presidenti i Kukësit Safet Gjici ka dalë me një reagim zyrtar të klubit ndaj vendimit të Bashkisë për të mos akorduar asnjë lek për futbollin, çka është vërtetuar me miratimin e projekt buxhetit të vitit 2016. Kukësi e konsideron një veprim të tillë absurd, dashakeq dhe kundër interesave të qytetarëve kuksianë që paguajnë taksat duke i ftuar këta që të kërkojnë llogari se ku shkojnë paratë e tyre. Bashkia e ka arsyetuar këtë vendim duke u shprehur se duhet pritur që më parë të sqarohet situata me klubin, por ndërkohë Kukësi i kujton se organi i pushtetit vendor i detyrohet ende 50 milionë lekë nga borxhet e vjetra. Vendimi për të mos mbështetur as minimalisht skuadrën konsiderohet nga drejtuesit e Kukësit si një veprim dashakeq e që bëhet për qëllime që s’kanë të bëjnë me sportin, ndërkohë që Safet Gjici garanton se edhe pse skuadra ndodhet në një fazë të rëndësishme dhe kërkon shpenzime të shumta ai do të sakrifikojë për të mbajtur në elitë futbollin e Kukësit si të vetmin aktivitet që ka ky qytet.
Klubi i Kukësit garanton se ai është gati për të bërë transparencën e nevojshme në lidhje me veprimtarinë financiare duke ofruar bashkëpunim ndaj Bashkisë por nuk ka gjetur mirëkuptimin e saj pavarësisht se është një detyrim ligjor i Bashkisë dhe Këshillit të saj për të kontribuar për sportin. Në këtë mënyrë Safet Gjicit i duhet të mbajë i vetëm barrën e rëndë financiare të çuarjes përpara të një skuadre që ishte ai vetë që e ngjiti në elitën e futbollit shqiptar duke bërë që emri i Kukësit në futboll të dëgjohet për herë të parë në Europë. Presidenti aktual jo vetëm ngriti skuadrën në Kategorinë Superiore por krijoi madje dhe infrastrukturën e nevojshme me rikonstruksionin e stadiumit Zeqir Ymeri dhe me të Kukësi ka arritur deri më tani të shkruajë një histori të jashtëzakonshme suksesi duke kaluar deri në raundin e katërt të Europa League në verën e vitit 2013.
Vetëm pak ditë më parë klubi nënshkroi me dy blerje të reja, kryegolashënuesin e kampionatit maqedonas për sezonin e kaluar Izair Emini dhe brazilianin Williams Gomez Vital Da Silva, ndërsa të premten konfirmoi një ngjitje të jashtëzakonshme në renditjen e klubeve sipas Instituit të Historisë dhe Statistikave në Futboll, duke u pozicionuar në vendin e 196 në botë në renditjen e klubeve duke lënë pas skuadra me emër të futbollit shqiptar si Tirana apo Partizani.

gjici eshte nije hajdut qe vetem kur u be prefekt e tregoi veten. nuk la ndermarje pa marre tenderin e rojeve, kerkoi tendera por ne momentin qe ju nderprene filloi lojen eshitjes se ndeshjeve, ky palaqo le ta lere klubin se vetem e demton