Kukësi ka dalë me stil nga kriza, teksa ka zhytur aty Skënderbeun, të cilin e ka mundur pastër në Korçë, me dy gola të Gerhard Prognit dhe një të Yll Hoxhës. Skuadra e Armando Cungut vinte me shumë presion mbi vete për të marrë rezultat pozitiv, pas dy humbjeve radhazi, dhe kishte fatin e keq që duhej të merrte patjetër pikë në fushën e kampionëve. Goli i hershëm, në minutën e tetë, shënuar nga Progni, i çliroi kuksianët, ndërkohë që Skënderbeu nuk mundi ta merrte veten. Njëzet minuta më vonë ndeshje kthehet në malore të fortë për kampionët, pasi Kukësi shënon edhe golin e dytë, me anë të Hoxhës.
Në pjesën e dytë, miqtë e mbrojtën mirë rezultatin, madje edhe e thelluan atë, kur Progni shënoi sërish, në minutën e 90-të. Në minutën e dytë shtesë, Shkëmbi shënoi golin e vetëm për korçarët, të cilët pësojnë humbjen e dytë radhazi, pas asaj në Vlorë. Dy skuadrat që vjet marshonin pa humbje për shumë javë, sivjet kanë pësuar nga dy të tilla që në tri javët e para. Ndërkohë, Teuta është ngjitur e vetme në krye të renditjes, pasi ka mundur Flamurtarin, ndërkohë që Laçi e Tirana janë mundur. Durrsakët fituan 2-1 me një gol në minutën e fundit, nga Mustafaj. Daniel Xhafaj hapi serinë e golave pas dhjetë minutash lojë, po vlonjatët barazuan në të 78-tën me Arbrin dhe ishin pranë marrjes së një pike. Në Shkodër u takuan dy rivalët e vjetër, Vllaznia me Tiranën. Balanca e ndeshjes u prish në minutën e 15-të, kur Tirana mbeti me dhjetë lojtarë, për shkak se kroati Gerc u ndëshkua me karton të kuq. Nëntë minuta më pas, Shtubina shënoi golin e parë për shkodranët, pasuar nga Bushiç në të 30-tën.
Disavantazhi i dy golave, shoqëruar me atë numerik, ishte shqetësues për bardheblutë, megjithatë vendasit nuk shënuan më gola të tjerë, edhe pse pati një orë lojë deri në fund. Skuadra e Agim Canajt arrin fitoren e dytë radhazi, duke e harruar plotësisht humbjen e javës së parë, kundër Flamurtarit. Vllaznia tani ndjek Teutën, me gjashtë pikë, po aq sa Lushnja që mundi 1-0 Laçin.
Partizani debutoi para tifozëve të tij, por të kuqtë nuk shkuan më larg se barazimi kundër Bylisit. Miqtë kaluan në epërsi të dy golave për 28 minuta lojë, megjithatë Partizani ngushtoi diferencën në fundin e pjesës së parë dhe barazoi sapo nisi e dyta. Edhe pse kishte shumë kohë në dispozicion, asnjë nga skuadrat nuk shënoi më dhe u kënaqën me nga një pikë. Fundin e renditjes tani e mban Besa, skuadra e vetme që nuk njeh fitore. Kavajasit u mundën 2-1 nga Kastrioti, që mori tri pikët e para.
Kategoria Superiore
Java 3
18 shtator 2013
Lushnja-Laçi 1-0
Byzhyti 39’
Vllaznia-Tirana 2-0
Shtubina 26′, Bushiç 30′
Teuta-Flamurtari 2-1
Xhafaj 10′, Mustafaj 91’ / Arbri 78′
Kastrioti-Besa 2-1
Malindi 22′, 25′ / Batha 69′
Partizani-Bylis 2-2
Idrizaj 42′ (a), Sodje 48′ / Meto 8′, 28′
Skënderbeu-Kukësi 1-3
Shkëmbi 92′ / Progni 8′, 90′, Hoxha 29′
N Skuadra P Gol F B H
1 Teuta 7 6:4 2 1 0
2 Vllaznia 6 5:1 2 0 1
3 Lushnja 6 2:1 2 0 1
4 Partizani 4 4:3 1 1 1
5 Bylis 4 4:4 1 1 1
6 Laçi 4 1:1 1 1 1
7 Tirana 4 1:2 1 1 1
8 Flamurtari 3 4:3 2 0 1
9 Skënderbeu 3 3:5 1 0 2
10 Kukësi 3 3:5 1 0 2
11 Kastrioti 3 2:4 1 0 2
12 Besa 1 4:4 0 1 2
Flamurtari -3 pikë
