Nga një garë treshe tashmë Europa duket një sfidë midis Kukësit dhe Teutës. Me Tiranën që ka mbyllur llogaritë për të arritur vendin e 3-të, lufta mbetet e hapur midis verilindorëve dhe “djemve të detit”, teksa për momentin diferencën e bëjnë përballjet direkte, duke qenë se të dyja skuadrat kanë të njëjtën kuotë pikësh, 57.
Në 4 përballjet e këtij edicioni, skuadrat kanë marrë nga një fitore dhe dy barazime, por suksesi i Kukësit në fazën e parë më 12 shtator është realizuar me rezultatin 3-0, ndërsa ai i Teutës më 23 nëntor në fazën e dytë me rezultatin 1-0. Dhe nëse skuadrat ecin përkrahu së bashku atëherë në fund vendin e 3-të e fiton skuadra e Klodian Duros për efekt golavarazhi në përballjet direkte.
Megjithatë, për të mbërritur tek vërshëllima përfundimtare e kampionatit janë ende 180 minuta në lojë. Kukësi këtë javë shkon në Pukë për t’u ndeshur me Tërbunin e rënë nga kategoria, një skuadër që po respekton deri në fund garën. Diferencat në përbërjen e futbollistëve janë të mëdha, por ende kujtohet fitorja e Tërbunit ndaj Skënderbeut apo edhe barazimi me Partizanin në fazën e 3-të. Në krahun tjetër Teuta pret në shtëpi Laçin, që vjen më i qetë, edhe pse nuk e ka siguruar ende mbijetesën.
Java e fundit sjell për të dyja skuadrat përballjet me ekipet e kryeqytetit. Kukësi pret në “Zeqir Ymeri” Tiranën, ndërsa Teuta udhëton në “Qemal Stafa” për t’u ndeshur me Partizanin. Nëse verilindorët do të kenë përballë bardheblutë, një skuadër të zhveshur nga objektivat, për durrsakët duhet parë fundi i javës që vjen, për të kuptuar nëse Partizani do të jetë ende në garën për titull. Lufta për vendin e 3-të ndryshe nga kreu dhe fundi nuk sheh një ndeshje finale, por një duel në distancë deri në vërshëllimën e fundit.
