Kukësi është për titull, hedh “KO” edhe Elbasanin

redaktor

Kukësi nuk i ndahet kreut. Skuadra e Arsim Shaqirit fitoi dhe në javën e dytë duke mundur Elbasanin 3-0. Në “Zeqir Ymeri” ekipi verilindor ju fal dyshes së saj të sulmit, Pejiç dhe Hoxha, ndërsa në fund realizoi dhe mbrojtësi Dushku, duke i dhënë tre pikë të tjera ekipit kuksian, që konfirmohet dhe në këtë fillim kampionati si një prej pretendenteve kryesore në garën për titull. Kukësi përpara publikut të tij nuk kërkonte të zhgënjente ndaj Elbasanit të ngjitur këtë vit në Superiore dhe u përpoq që në fillim të impononte ritmin. Skuadra e Shaqirit u tregua agresive ndaj një Elbasani që kishte bërë një ndeshje të mirë, një javë më parë ndaj Skënderbeut por pa arritur të marrë pikë. Verilindorët gjetën sërish te Pero Pejiç, liderin e sulmit të tyre, me kroatin që në minutën e 37-të, goditi saktë drejt portës duke kaluar përpara të tijtë.

Elbasani në pjesën e dytë u përpoq të ndryshonte ritmin dhe në minutën e 48-të, kapiteni Endri Dalipi humbi një rast të shkëlqyer për të kthyer shifrat në baraspeshë. Në të 51-ën u nevojit ndërhyrja e Halilajt për të mos lejuar Elbasanin të arrinte te goli ndërsa në të 57-ën, Vilfor Hysa u ndal vetëm mbi vijën fatale. Gjithsesi në minutën e 63-të, Ylli Hoxha hipotekoi suksesin e të tijve duke shënuar dhe golin e dytë.

Skuadra verilindore në fund arriti të trefishojë rezultatin duke shënuar dhe me Erjon Dushkun. Kukësi fitoi 3-0 duke marrë kreun e renditjes për shkak të golavarazhit më të mirë se Tirana e Skënderbeu ndërsa Elbasani e sheh veten ende me zero pikë në renditje.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *