Para ndeshjes së kthimit në Kupë me Teutën flitej për Klodian Duron që rrezikonte seriozisht postin nëse nuk kualifikohej. Që atëherë kanë kaluar pak më shumë se dy javë por tabloja te Kukësi ka ndryshuar krejtësisht. Kukësi është në gjysmëfinalet e Kupës dhe është ngjitur në vendin e tretë në kampionat. Presidenti Gjici nuk ka arsye pse të mos jetë i kënaqur dhe fikson objektivat, ku është e lehtë të lexohet “fiksimi” për trofeun e Kupës.
“Natyrisht objektivi është që të mbahet vendi i tretë dhe pse jo edhe më lart, por kuptohet që një nga objektivat kryesorë kemi Kupën. Presim të ndahet shorti. Kemi treguar se fitojmë dhe në transfertë, është e rëndësishme që të fitojmë dhe në transfertë dhe natyrisht që kemi dy objektiva Kupën e Shqipërisë dhe kualifikimin në Europa League”.
Gjici përpiqet ti shmangë komentet mbi preferencat në lidhje me shortin e gjysmëfinaleve të Kupës, por është e pamudnur të fshehë dëshirën për tu përballur me Skënderbeun.
“Shorti është short, dhe të gjitha ekipet në gjysmëfinale kanë pretendimet e tyre. Ne nuk e kemi problem kë na sjell. Dëshira do të ishte Skënderbeu, por dhe me Vlorën dhe Lacin s’ka problem. Për ne rëndësi ka të shkojmë në finalen e Kupës dhe natyrisht të marrim trofeun . Sepse u bënë disa vite që po bëjmë histori sidomos në Kupat e Europës por në futbollin shqiptar nuk po arrijmë ta kurorëzojmë me një trofe. Për ne do të ishte shumë i mirë një sezon me Kupën e Shqipërisë”.
