Elis Bakaj do të luajë me Kukësin deri në përfundim të këtij sezonit, kohë në të cilën ai shpreson të luajë përsëri jashtë Shqipërisë. Mesfushori ka arritur marrëveshjen me presidentin Safet Gjici dhe do të jetë gati për të dalë në fushë që në ndeshjen kundër Vllaznisë, të mërkurën, e para për fazën e tretë. Edhe pse merkatoja ka kohë që është mbyllur, Bakaj mund të federohet si lojtar i lirë, pas skadimit të kontratës me Çernomorets Odesa të Ukrainës, skuadër me të cilën luajti në dy vitet e fundit. Skuadra e fundit shqiptare e Bakajt është Dinamo, me të cilën fitoi titullin, para se të transferohej në Rumani, te Dinamo e Bukureshtit. Pas një periudhe disamujore atje, ai shkoi te Çernomorets, ku u integruar mjaft mirë me skuadrën, por në vitin e fundit ka qenë i dëmtuar për një kohë të gjatë, çka e la jashtë fushe, ashtu si mbrojtësin Kristi Vangjeli, i kthyer te Aris i Selanikut. Ndarja e Bakajt me Çernomorets ngjalli shumë shpresa te tifozët e Partizanit se ai mund të kthehej në skuadrën e kuqe, ku është bërë futbollist dhe ka luajtur që në moshën 16-vjeçare, deri në vitin 2009, kur skuadra ra në Kategorinë e Parë. Por, edhe pse nuk e kishte fshehur preferencën për ish-skuadrën e tij, Bakaj ka bërë të ditur se aspekti ekonomik është i rëndësishëm dhe pikërisht këtu ka qenë përcaktuese oferta e Gjicit. Nga burime të pakonfirmuara, mësohet se Bakaj do të përfitojë 40 mijë euro deri në fund të këtij sezoni me Kukësin. Me marrjen e Bakajt, Kukësi u jep një nxitje të fortë shpresave për t’u futur në Europa League, ndërkohë që ende mendon edhe për titullin, ndonëse diferenca me Skënderbeun është shumë e madhe.

Lojtaret sterviten ne Tirane dhe ndeshjet pa tifoze , Kuksi jone ka ba ndryshime ka qit trenin ne rrug makine , Hoqen futbollin Shkodres dhe Tiranes dhe e çuan ne Kukes dhe ne Korçe .