Kukësi humb miqësoren me Austria Salzburg

Dita

Kukësi humb miqësoren e dytë në dy ditë rresht dhe të tretën në total gjatë fazës përgatitore në Austri, teksa janë prej më shumë se 10 ditësh. Por nënkampionët kanë fituar 2 ndeshje miqësore me rivalë potencialë, si Neftchi Baku (2-0) dhe MTK Budapest (3-1).

Humbja e djeshme 1-3 me vendësit e Austria Salzburg ishte mëse normale, pasi vetëm një ditë më parë ishte zhvilluar një test miqësor, shto këtu edhe mungesat e disa titullarëve, për shkak të ngarkesave të mëdha të marra gjatë ditëve të fundit. Ylli Shameti nuk është aktivizuar sepse ka qenë i dëmtuar, ndërsa u është dhënë hapësirë thuajse të gjithë futbollistëve brazilianë, shumë prej të cilëve ende nuk ka marrë miratimin e stafit teknik.

Kukësi pëson 2 gola që në pjesën e parë nga Austria Salzburg, ku sulmuesi Tchoyi shënoi dy herë, duke surprizuar jo pak miqtë nga Shqipëria. Vendësit e kishin vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje, madje i bënin jehonë se do të përballeshin me nënkampionët e Shqipërisë dhe finalistin e Kupës së Shqipërisë, por në miqësore jo vetëm që nuk është parë diferenca, por Austria Salzburg nuk është treguar aspak si një skuadër që militon në ligën rajonale. Gjithsesi, te Kukësi ka ndikuar edhe ngarkesa e madhe. Kujtojmë që verilindorët vetëm një ditë më parë luajtën në miqësore me rumunët e Targu Mures, ku humbën vetëm me një gol në minutat e fundit të takimit. Në pjesën e dytë vendësit shënojnë edhe një gol të tretë me anë Bulut, ndërsa humbin edhe një 11-metërsh. Kuksianët arrijnë të shënojnë vetëm një gol.

Ishte kjo miqësorja e parafundit e Kukësit në tokën austriake, ndërsa nesër do të zhvillojnë takimin e fundit me rumunët e Universitatea Craiova, ku mendohet se do të jetë edhe formacioni i plotë, pikërisht ai që parashikohet të luajë më 2 korrik përballë Torpedo Zhodino në ndeshjen e parë të turit të parë eliminator të Europa League. Kukësi do të përgatitet në Tiranë ditët e mbetura, pasi ndeshja do të luhet në “Qemal Stafa”. Stadiumi “Zeqir Ymeri” nuk i plotëson kriteret e vendosura nga UEFA.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *