Kukësi ia ka marrë dorën Vllaznisë, e thyen në Kupë

redaktor

Kukësi më një këmbë në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Kryesuesit e kampionatit nuk dinë të ndalen as në trofeun e dytë më të rëndësishëm futbollistik në vend, duke i dhënë shuplakën e dytë brenda pak ditëve Vllaznisë po në “Loro Boriçi” pasi fituan pastër 2-0 në 90 minutat e para të sfidës së parë.

I përhershmi Pejic dhe Lushtaku vulosën fitoren e tretë të vitit 2015 në po kaq ndeshje të zhvilluara, duke konfirmuar formën e mirë të ekipit të drejtuar nga Artim Shaqiri. Ashtu si në ndeshjen e përpara pak ditëve, ishte sërish Pejic që shënoi pak minuta pas startit duke zhbllokuar sfidën, ndërsa në të nëntën Arsen Sykaj pengoi Lushtakun në zonën e rreptësisë dhe ky i fundit e shndërroi në gol 11 metërshin e fituar.

Dy gola të shpejtë që ngrinë skuadrën e Rainerit, e cila u mundua të reagonte duke dhënë shenja jete. Në të 14-ën Shtubina pretendoi për një 11-metërsh, pasi u rrëzua në zonën kuksiane, ndërsa 10 minuta më pas Sykaj kishte më këmbët e tij rastin më të mirë pasi goditi një top që preku Malotën, por edhe këtë herë arbitri Enea Jorgji nuk akordoi penallti edhe pse shkodranët pretenduan për një prekje me dorë. Vllaznia tentoi të shkurtonte diferencën edhe në dy raste me Sosan dhe Gilman Likën por pa sukses.

Në të 37-ën, Zeqiri replikoi me një goditje të fortë nga jashtë zonës por topi kaloi pak mbi traun e vendasve. Shkodranët e nisën pjesën e dytë me kontrollin e lojës por të paqartë në pasimin e fundit. Në të 50-ën, Tafili pasoi për Bacin, por goditja e numrit 16 la për të dëshiruar. 7 minuta më vonë Gilman Lika dhe Kalaja ishin shumë pranë golit në një aksion të vetëm ku të dy goditën portën e Kukësit por pa arritur të preknin rrjetën.

Kukësi u kundërpërgjigj me Hysën të minutën e 61, ndërsa Tafili ekzekutoi në mënyrë të pasaktë një goditje dënimi vetëm pak sekonda më vonë. Ndeshja u ndez edhe më shumë sepse Hysa kishte mundësinë e artë për të trefishuar në aksionin pasardhës por sulmuesit kuksian ia mohoi kënaqësinë e golit portieri Selimaj.

Në të 66-ën Hysa dhe Selimaj u bënë sërish protagonistë me gardianin shkodran që shpëtoi portën nga një gol i sigurt. Mbrojtja shkodrane u shthur totalisht sepse Zeqiri rrezikoi sërish pak momente më vonë por goli i tretë nuk erdhi as nga këmbët e vlonjatit. 9 minuta nga fundi Halilaj e ruajti të paprekur kuadratin e portës së miqve pasi arriti të bllokonte goditjen e Sosas. Minutat e fundit nuk shërbyen për ta ndryshuar avantazhin e vendosur në pjesën e parë nga Kukësi që shkon drejt 90-minutëshit të kthimit pa presionin e rezultatit.

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *