Kukësi dhe Laçi kanë arritur të shmangin Skënderbeun në shortin e gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, duke u vënë përballë njëri-tjetrit. Goglat kanë nxjerrë Skënderbeun dhe Bylisin si çiftin tjetër gjysmëfinalist. Të gjithë dëshironin të shmangnin skuadrën korçare, jo thjesht si kundërshtari më i fortë, por edhe duke pasur parasysh Evropën. Në rast daljeje në finale përballë Skënderbeut, për Kukësin, Laçin e Bylisin do të ishte e sigurt pjesëmarrja në Europa League, pasi korçarët janë të pandalshëm drejt titullit dhe do të luajnë në Champions League. Bylisi nuk e ka më këtë shans të marrë pjesë në Evropë si finalist, pasi do të ndeshet që në këtë raund me kampionët e ardhshëm. Ballshiotët mund të marrin zemër nga fakti që në takimin e fundit në Korçë barazuan 2-2 në fushë, për të humbur më pas në tavolinë. Takimet e para do të luhen më 3 prill dhe ato të kthimit pas dy javësh, më 17 prill. Laçi dhe Bylisi kanë favorin e vogël që ndeshjet e kthimit i luajnë në shtëpi dhe mund të përfitojnë.
Kupa e Shqipërisë
Gjysmëfinalet
3-17 prill
Kukësi – Laçi
Skënderbeu – Bylis