Kukësi largon dyshen drejtuese Radanovic-Gvozdenovic

redaktor

Rrufe në qiell të hapur te Kukësi. Presidenti i skuadrës verilindore, Safet Gjici, ka ndërprerë në mënyrë të papritur marrëdhëniet me dyshen drejtuese të stafit teknik, trajnerin serb Miodrag Radanovic si dhe ndihmësin dhe bashkatdhetarin e tij, Gvozdenovic.

Lajmi i konfirmuar zyrtarisht ka befasuar jo pak, pasi shkarkimi i dyshes së trajnerëve vjen në një kohë kur skuadra ka nisur përgatitjet për aventurën në paraeliminatoret e Europa League, ku Kukësi synon të bëjë një paraqitje sa më dinjitoze. Me sa duket dyshja serbe e Kukësit dhe mbi të gjitha Radanovic paguan me pak vonesë faturën e disfatës në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit, çka ka bërë që të humbasin edhe besimin e drejtuesve duke nisur padyshim nga numri një i klubit Safet Gjici.

Presidenti i Kukësit në fakt është i njohur në lidhje me lëvizjet e tij të shpeshta në drejtimin e skuadrës. Vlen të kujtohet se para nisjes së sezonit të fundit, Shkëlqim Muça u largua nga drejtimi i Kukësit pasi klubi i kërkonte titullin kampion, ndërsa Artim Shaqiri me të cilin skuadra nisi sezonin, u largua nga drejtimi i skuadrës pas disfatës 1-0 të pësuar nga Skënderbeu në “Zeqir Ymeri” në javën e 32 të kampionatit.

Tashmë me të njëjtin fat janë përballuar dhe pasardhësit e tij, Radanovic dhe Gvozdenovic. Ende nuk është zyrtarizuar trajneri i ri që do të marrë drejtimin e skuadrës, pasi klubi është duke zhvilluar tratativa intensive ndërkohë që përkohësisht seancat stërvitore të Kukësit i janë ngarkuar për t’i drejtuar brazilianit Marcelo Troisi, gjithsesi trajneri i ardhshëm duhet ta dijë, se ai i Kukësit është një stol vërtet i nxehtë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *