Kukësi merr 2 sulmues, Eminin dhe brazilianin Da Silva

redaktor

Kukësi u nis drejt Ulqinit pasi zyrtarizoi dy goditje të rëndësishme në merkato. Klubi verilindor ka arritur akordin përfundimtar me sulmuesin nga Tetova, Izair Emini, i cili firmosi me Kukësin para se të bashkohej me skuadrën në stërvitjen e fundit në Shqipëri para nisjes së mini fazës përgatitore në Mal të Zi.

Izair Emini, 30-vjeçar, është një qendërsulmues me eksperiencë që vjen nga radhët e Renovës, skuadër me të cilën sezonin e kaluar u shpall dhe kryegolashënues i kampionatit maqedonas me 20 finalizime.

Në këtë sezon Emini ka shënuar 6 gola në 14 takime në të cilat është aktivizuar me Renovën. Në këtë mënyrë presidenti Gjici i ka vënë në dispozicion dyshes drejtuese Lika-Duro një qendërsulmues me përvojë, duke shpresuar që skuadra të zgjidhë problemin e konkretizimit para porte, çka e ka penalizuar në shumë ndeshje në fazën e parë të sezonit.

Pothuajse në të njëjtën kohë me Eminin u zyrtarizua edhe blerja e brazilianit Williams Gomez Vital Da Silva, ndërkohë që klubi ka përgënjeshtruar zërat për një largim të Matheus Lima-s . Sipas Kukësit sulmuesi ka kërkuar leje për tu larguar për disa arsye familjare dhe klubi e pret të kthehet sipas këtij akordi për ta patur në dispozicion për gjysmën e dytë të sezoni, pasi në të kundërt Lima do të vuajë të gjitha penalitetet që rrjedhin nga lidhja e tij kontraktuale me klubin.

Skuadra e Kukësit zhvilloi edhe stërvitjen e fundit në Tiranë para se të nisej drejt Ulqinit ku do të zhvillojë një minifazë përgatitore prej 12 ditësh, ku skuadra do të zhvillojë edhe disa takime miqësore.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *