Pero Pejic është gjithmonë ai heroi i këtij Kukësi. Sulmuesi kroat me 2 gola dhe 1 asist udhëhoqi verilindorët drejt një fitoreje të thelle ndaj Elbasanit. Në “Elbasan Arena” përfundoi gjithçka me fitoren 4-0 të Kukësit që pas këtij suksesi ka akoma edhe më shumë shanse për tu shpallur kampion në fund të sezonit. 61 pikë për formacionin e Artim Shaqirit pas javës së 29-të dhe me kalendarin në favor shanset që Kukësi të realizojë ëndrrën janë gjithmonë më të mëdha.
Në fazën e katërt nënkampionët e Shqipërisë do të presin në “Zeqir Ymeri” tre nga 4 skuadrat që pozicionohen në 5-shen e parë. Përsa i përket Pero Pejicit me këtë dygolësh sulmuesi kroat u ngjit në kuotën e 24 finalizimeve duke mos patur rivalë në garën për “Këpucën e Artë”.
Në “Elbasan Arena” përballë një Elbasani të zhveshur nga objektivat Kukësi nuk hasi në vështirësi. Pas vetëm 9 minutave lojë Pero Pejic shërbeu saktë për brazilianin Xheferson i cili përballë Ruçit nuk fali duke avantazhin skuadrës së Shaqirit. Gjithçka u bë më e lehtë për Kukësin në minutën e 39-të kur Pero Pejic me një goditje të saktë nga brenda zonës realizoi edhe golin e avantazhit të dyfishtë. Edhe pjesa e dytë nisi nën shenjën e verilindorëve.
Në të 47-tën sulmuesi kroat ekzekutoi saktë një 11-metërsh duke i çuar shifrat në 0-3. Elbasani u përpoq të realizonte golin e nderit por tentativa e Çyrbjes në minutën e 61-të u ndal nga portieri i Kukësit Ervis Koci, i cili në këtë sfidë luante si titullar në vend të Argjent Halilit. 5 minuta më pas ishte Rigels Dushku ai që provoi por goditja e sulmuesit të Kukësit përfundoi lehtësisht në duart e portierit Ruçi. Për ti vënë vulën fitores se skuadrës mike mendoi Erjon Dushku.
Në minutën e 70-të, mbrojtësi i verilindorëve shfrytëzoi një krosim të Rigels Dushkut nga këndi duke goditur saktë me kokë për golin e 4-t të Kukësit. Pavarësisht ndonjë përpjekje të vakët të Elbasanit deri në fund nuk ndryshoi më asgjë në rezultat me Kukësin që mori një fitore shumë të rëndësishme në luftën për titullin kampion.
