Kukësi, notë proteste nga Këshilli Bashkiak

redaktor

Trazirat e shkaktuara nga tifozët e Laçit në stadium gjatë ndeshjes kundër Kukësit kanë ngjallur edhe reagimin e Këshillit Bashkiak të qytetit të Kukësit që i dërgon një notë proteste Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. Në letrën publike, institucioni lokal vendos theksin në dhunën fizike dhe verbale ndaj lojtarëve dhe presidentit të Kukësit, Safet Gjici. Këshilli Bashkiak kërkon gjithashtu që nga sjellja e tifozerisë laçiane të distancohen drejtuesit e klubit kurbinas dhe ata të Bashkisë së Laçit, pasi në notën e protestës theksohet se dhuna është ushtruar përpara, gjatë dhe pas ndeshjes së fundjavës.

Në vijim, letra përqendrohet te rezultati historik i Kukësit në Europa League, duke theksuar se kjo skuadër nuk ka qenë asnjëherë faktor destabilizues. “Kërkojmë nga organet kompetente si federata, ministria dhe Prokuroria që të analizojnë situatën dhe të dënojnë agresorët”, theksohet ndër të tjera në notën e protestës, e cila shkon edhe më tej duke kujtuar se në bazë të rregullores arbitri duhej të pezullonte ndeshjen që tifozët të njoftoheshin publikisht për të ndërprerë sloganet ofensive. Në ndeshjen Laçi-Kukësi, mbeti i lënduar mbrojtësi Dritan Smajli pasi u godit me një mjet të fortë nga ana e tifozerisë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *