Kukësi merr formë për ndeshjen e tretë europiane. Testi i Vjenës kundër skuadrës së Austrisë do të jetë vendimtar për sezonin e skuadrës shqiptare që kërkon të shkruajë historinë.
Stafi i drejtuar nga Hasan Lika ka përgatitur deri në detaje strategjinë që do të ndjekë në “Ernst Happel Stadion” ku do të luajnë edhe dy afrimet nga Skënderbeu, Lilaj e Latifi.
Verilindorët kanë hartuar listën e lojtarëve që do të udhëtojnë drejt Vjënes ku figurojnë dy lojtarët e Skënderbeut dhe pritet që gjatë orëve të ardhshme të zyrtarizohet edhe japonezi Masato Fukui, ndërsa malazezi Shcepanovic figuron për herë të parë në listë.
Në këtë mënyrë, trajnerit Lika i është dashur të bëjë llogaritë edhe me faktin se huazimet e përkohshme nga korçarët e detyrojnë të nxjerrë jashtë liste disa emra të klubit. Në këtë mënyrë, Greca i cili u ndëshkua me karton të kur në transfertën malazeze është lënë jashtë ashtu si edhe Kastrati, Memini dhe Imami.
Ajo që bie në sy është prania në listë e 5 qendërmbrojtësve, ndërsa Hallaçi e Mici do të jenë të vetmit mbrojtës krahu. Me skuadrën do të udhëtojë gjithashtu edhe mbrojtësi i huazuar nga Tirana, Gentian Muça. Ndërkohë, përveç listës europiane të Kukësit, UEFA zbardh edhe emrin e arbitrit që do të drejtojë sfidën e së enjtes në Vjenë.
Në finalen e Kupës ishte një italian që rezultoi me fat për Kukësin dhe do të jetë sërish një “bilbil” nga përtej Adriatikut që mund të rezultojë vendimtar për sfidën e verilindorëve. Bëhet fjalë për 42-vjeçarin Paolo Valeri, ndërsa ndihmës të tij do të jenë Alessandro Costanzo dhe Alessandro Lo Cicero.
