Kukësi po vazhdon stërvitjen në Tiranë ndërsa ende nuk ka asnjë përgjigje nga bashkia e qytetit verilindor dhe nga policia për çështjen e stadiumit.
Situata në këtë aspekt duket kaotike, sepse klubi nënkampion ka bërë kërkesa në rrugë zyrtare si në institucionin vendor ashtu edhe në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Kukës që të garantohet zhvillimi dhe mbarëvajtja e aktivitetit për sezonin e ri që nis javën e ardhshme. Bashkia e Kukësit është pronare e stadiumit ndaj edhe klubi pret mbështetje jo vetëm për çështjen e fushës se ku do të zhvillojnë ndeshjet, por edhe për mbështetjen financiare.
Ndonëse kampionati nis pas një jave nuk ka asnjë lëvizje nga pushteti vendor që më shumë po sorollatet, çka ka bërë që edhe situata të agravohet. Tifozët janë shprehur të revoltuar pak ditë më parë lidhur me këtë neglizhencë të bashkisë së Kukësit, nisur kjo edhe nga situata e kohëve të fundit. Zërat pranë tifozëve bëjnë me dije se janë përfolur për të marrë drejtimin e kuksianëve edhe dy ish-zv. presidentët Flamur Hoxha dhe Bashkim Gjoka.
Megjithatë këto kanë qenë në rangun e thashethemeve. Ndërkohë që presidenti Safet Gjici vazhdon që të mendojë për ndërtimin e një Kukësi pretendent madje duke negociuar edhe me lojtarë cilësorë vendas dhe të huaj për një ekip kampion. Por ai, skuadra si dhe tifozët presin një bashkëpunim edhe më të madh nga bashkia që të kthejë vëmendjen nga futbolli duke qenë se është i vetmi argëtim në qytetin e Kukësit dhe jo vetëm.