Katër fitore në 4 takime një ecuri të tillë Kukësi nuk e kishte përjetuar asnjëherë më parë gjatë këtij sezoni. Në Superiore është momenti i verilindorëve të cilët me 8 gola të shënuar dhe vetëm 1 të pësuar kanë grumbulluar 12 pikë në 4 javët e fundit të kampionatit, duke rritur ndjeshëm shanset për tu kualifikuar në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm. Kthesa e Kukësit nisi pas asaj humbjeje ndoshta edhe të pamerituar ndaj Partizanit në kryeqytet.
Ultimatumi i presidentit Safet Gjici në drejtim të trajnerit Klodian Duro dhe futbollistëve nuk shkoi në vesh të shurdhët pasi kërkesës së numrit 1 të verilindorëve për 4 fitore në 4 ndeshjet e ardhshme të Superiores, Kukësi iu përgjigj me vepra dhe jo me fjalë. Nën shenjën e një goleadori të lindur si Izair Emini nënkampionët u kthyen në rrugën e duhur dhe tashmë mund të konsiderohen pa frikë si skuadra për t’u mundur në garën për vendin e tretë në kategorinë Superiore.
Gjithcka nisi me atë fitore të thellë 4-0 ndaj Flamurtarit në Zeqir Ymeri, me një dygolësh të Hasanit dhe finalizimet e Eminit e Erick Flores. Nga suksesi ndaj vlonjatëve te ajo fitore me përmbysje ndaj Vllaznisë në Shkodër falë një supergoli të ishit të madh të sfidës Edon Hasani. Ai triumf përvec se për vazhdimësinë i shërbeu shumë edhe për moralin, Kukësit, që më pas falë dy golave të Eminit nga një për takim regjistroi dy fitore të tjera në shtëpi ndaj Lacit dhe Tërbunit, për ta cuar në 4 numrin e sukseve radhazi në kampionat.
Tashmë skuadrën e Klodian Duros e pret një ndeshje delikate ndaj Tiranës në kryeqytet dhe nëse Kukësi dëshiron ta ketë më të thjeshtë misionin për ta përfunduar kampionatin në vendin e 3-të duhet të fitojë bardhebluve pasi kështu do të nxirrte përfundimisht nga gara një rival direkt për këtë pozicion, kjo për vetë faktin se diferenca mes verilindorëve dhe Tiranës në klasfikim do të shkonte në 7 pikë, një distancë e madhe kjo për tu rikuperuar nga 24-herë kampionat në vetëm 9 ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.
