Një 38-vjeçare kaliforniane, e cila një vit më parë zgjodhi të quhej Blondie Bonnet, ka shpenzuar rreth 30 mijë euro për të rritur përmasat e gjoksit të saj, ndërsa i nënshtrohet rregullisht kurave estetike, solarit, botoksit dhe filler-ave të tjerë për të pasur një pamje sa më artificiale, shkruan “Huffington Post”.
Obsesioni i saj për të qenë identike me Barbie-n e ka çuar në atë pikë sa t’i nënshtrohet seancave të hipnoterapisë një herë në javë për të qenë sa më konfuze dhe pa tru, pikërisht si një kukull e vërtetë. “Kur njerëzit më pyesin se përse dua të jem si Barbie, pyes veten: e kush nuk do të dëshironte të ishte si ajo? Deri tani i jam nënshtruar 20 seancave të hipnozës dhe kam filluar të ndjej efektet. Herën e fundit duhej të prisja një mik në aeroport, por nuk më kujtohej se ku duhet të shkoja në zonën e nisjeve apo mbërritjeve”, thotë Blondie.
Gruaja filloi të ishte e fiksuar pas Barbie-t në adoleshencë, kur nisi të vishej si ajo dhe shkonte në shkollë me një “corvette” rozë, pikërisht si heroina e saj. Në moshën 18-vjeçare filloi të punonte në disa dyqane lodrash duke u veshur si Barbie. “Mikeshat e mia e urrenin faktin që unë isha në qendër të vëmendjes së djemve për mënyrën se si vishesha. Deri para tetë vitesh kam bërë një jetë të dyfishtë, pastaj vendosa të shndërrohesha në një Barbie të vërtetë dhe të injoroja mendimin e të tjerëve”. /D.Gj