“Kulla e Arnueme” e Altin Prengës

Ornela

Entela Resuli

Teksa futesh në rrugicën që të çon te Mrizi i Zanave në Fishtë të Lezhës, të presin me qindra pata të bardha në bahçen me ullinj krah restorantit që nuk e gjen asnjëherë bosh.

Mrizi i Zanave tashmë është markë.

Ata që kanë shkuar njëherë atje, janë kthyer për të dytën e për të tretën herë, me miq të rinj për ta ndarë më të tjerë kënaqësinë e tyre.

Në Mrizin e Zanave të Altinë Prengës, ndjenë aromën e fshatit. Disa mund të ndihen nostalgjikë për këtë dhe kjo ua shtonë edhe më tepër kënaqësinë.

Tani që pranvera ka shpërthyer rreth e rrotull, gjithçka duket më e bukur.

Por kjo që shijojmë dhe shohim tani  është ngritur me mund’ dhe mbi të gjitha me vizion nga ana e Altinit, i cili pas një eksperience pune në Itali, vendosi të kthehet në vendlindje, pasi sipas tij shija e vërtetë e ushqimit është ajo e kujtesës. Dhe nëse ke pak fantazi për ta zgjuar fort kujtesën, rezultati është emocion.

Fantazia dhe tradita janë bërë bashkë te Altini dhe kanë sjellë një rezultat që edhe ai vetë nuk e mendonte në këto përmasa kur hodhi gurin e parë për të hapur “Mrizin e Zanave” në truallin e të parave të tij.

“Kulla e arrnume”

Një kullë prej guri, e ndërtuar nga gjyshi i tij Kolë Frroku në vitin 1940 vitet e fundit ishte e pabanueshme. E rrënuar dhe e dëmtuar edhe nga tërmeti,ajo kishte mbetur një gërmadhë.

Për Altinin ajo është kulla e jetës. Aty është lindur dhe rritur babai i tij, por edhe  ai vet.

Vendosi që të mos humb gjurmët e të parëve dhe as të një periudhë jete që ka shërbyer në formimin e karakterit që ai ka sot. Ndaj vendosi që kullën ta sillte në ”jetë”. Dhe kështu bëri.

Vendosi të lërë gjurmët e kohës në trupin e saj, por edhe duke e modernizuar në të njëjtën kohë.

Sot ajo nuk është tërësisht e ndërtuar nga guri, por edhe nga xhami, për këtë arsye quhet “kulla e arrnume” .

Teksa na tregon për të Altini shprehet se “Kjo është vazhdimësi e të gjitha gjërave që kemi bërë në këto vite, edhe me ish-burgun, me mullirin fotovoltaik, me Mullixhiun…

Kjo ndërtesë është kulla e të parëve të mi, ku ka banuar gjyshi, babai im por edhe unë jam rritur në këtë kullë”.

Nëpërmjet rindërtimit të saj, përveçse ta kthejë atë në një bujtinë ai ka dashur të japë edhe një mesazh të rëndësishëm për të gjithë.

“Për mua është e rëndësishme që zakonet tona t’i lartësojmë. Ashtu siç janë.  Pa u vetëmburrur, por këto tradita, t’i trashëgomë dhe t’i çojmë përpara”- rrëfen Prenga i cili është i kënaqur për mënyrën se si është pritur kjo ndërtesë dhe për faktin që ka shumë kërkesa nga ana e turistëve për të bujtur në të.

Dhoma e… patës!

Nuk të ka ndodhur ndonjëherë të flesh në dhomën e “lopës”?!  Këtë gjë mund ta realizoni te “Kulla e arrnume”, pasi çdo dhomë aty ka  marr emrin e një kafshë si, ‘pata” ‘lopa”,” gomari”…

Gjithçka brenda është e ndërtuar me dru dhe në dhoma ka në çdo moment dritë natyrale. Sipas Altinit djemtë arkitekt të “Plis Atelier” Anton Luli dhe Briken Miloti kanë bërë një punë fantastike.

Askush më mirë se ta nuk mund ta përcillte kaq bukur idenë time, pasi përveç shkollimit, njeri është malësore e tjetri mirditor, ndaj e njohin mjaft mirë traditën dhe mënyrën e ndërtimit të kullës së veriut”.

Në fundjavë është e vështirë të gjesh një dhomë të lirë në këtë kullë, por me shumë mundësi mund të ketë gjatë javës.

Prenga është i kënaqur për mënyrën se si është pritur kulla edhe pse nuk kishte shumë dyshime për këtë.  Por kjo nuk është sfida e tij e fundit. Ai po mendon të ndërtojë një tjetër strukturë akomoduese, e cila pritet të jetë po kaq interesante, ndoshta edhe më shumë. Por na duhet të presim për këtë.

“Kjo punë nuk të bën lord” 

Dhjetë vite më parë, kur Altin Prenga u kthye nga Italia pas disa vitesh emigrim nuk e kishte menduar që do të arrinte të ndërtonte një gjë kaq të madhe.

“Kam patur sigurinë e plotë që do të kishte funksionuar, sigurisht që në përmasa kaq të mëdha jo, por që do të kishte funksionuar isha i sigurt që po”- tregon ai për Dita.

“Ky është një agroturizëm në një zonë rurale që përballet me vështirësi  çdo ditë dhe që sa vijnë e shtohen, nuk është se pakësohen.  Në fillim ndoshta ka qënë më e e lehtë, por tani që kemi krijuar një lloj standardi, pritshmëritë janë më të larta dhe ne nuk na lejohet të biem nën nivelin që kemi ngritur dhe i kemi vendosur vetes tonë.

Nuk është ajo përralla që duket nga jashtë, por kërkon shumë punë, punë intensive, ku nuk të lejohet të ndalesh asnjë sekondë”.

Në ditët e para të punës, ai ka patur sigurinë në atë çka po ngrinte dhe e dinte që do të funksiononte por ka patur një ankth, i cili sot e kësaj dite nuk është zhdukur plotësisht.

“Ankthi im ka qenë se si unë do të asimiloj një agroturizëm në një vend ku nuk punohet toka. Ku nuk ka zhvillim bujqësor, ku nuk ka një sistem agropërpunimi të rregullt, ku duhet t’i bësh vetë të gjitha, pasi nuk punojnë hallkat”- shpjegon Altini.  Por ai është shumë i lumtur që e shikon punën e tij të realizuar e mbi të gjitha të pëlqyer nga njerëzit dhe klientët që vijnë dhe frekuentojnë restorantin e tij.

Fitimet që ka marr nga kjo punë i ka investuar dhe vazhdon ta bëj këtë gjë.  Pas 10 vitesh përkushtim e thotë me bindje që ia ka dal të ndërtoi diçka të bukur në një zonë të vështirë.

Sipas Altinit kjo punë nuk të bën lord, por më shumë se sa kaq është pasioni që çon përpara gjithçka.

 Burgu që u kthye në punishte përpunimi

Në vitin 1967 në Fishtë u ndërtua një burg i cili do të shërbente si kamp internimi.

Aty u internuan me dhjetëra familje ndër më të njohurat familjet Paçrami dhe Lubonja, të cilat u dënuan në vitin 1973 pas “Festivalit të 11” dhe u vendosën në Fishtë në vitet 80’.

Pas viteve ’90 burgu pushoi së funksionuar dhe gjithçka ishte kthyer në një gërmadhë.

Ndërkohë, katër vitet e fundit,  ish-burgu është kthyer në një fabrikë të përpunimit dhe prodhimit të bulmetit, reçelrave, verës, tharjes së mishit e me radhë.

E mbuluar nga ferrat ndërtesa nuk shërbente për asgjë.

Altin Prenga e mori dhe e shndërroi atë në një vend ku sot gumëzhinë nga makineritë e përpunimit të qumështit. Ku dhjetëra zonja të fshatit dhe të zonës përreth janë të  punësuara duke zhvilluar në këtë mënyrë edhe ekonominë e familjeve të tyre.

 

 

Share This Article
4 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *