Ministria e Kulturës dhe institucionet e saj të varësisë do të bëjnë evidentimin dhe përditësimin e të dhënave për monumentet e kulturës, zonat muze, ansambël muze, qendra historike dhe parqet arkeologjike, si dhe do të përcaktojë rregullat që kanë ndikim në planifikimin e territorit për secilën kategori. Në një prononcim për mediat, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tha sot se “pezullimi i dhënieve të lejeve zhvillimore që prekin zonat e Trashëgimisë Kulturore do të frenojë këtë cenim me pasoja shpesh të pakthyeshme, që i rëndojnë fort kulturës së sotme dhe kujtesës së ardhshme”.
Kumbaro theksoi se në listën e prioriteteve të institucionit që drejton, janë përcaktuar tri momente që i paraprinë konkretizimit të vendimit të mësipërm.
-Rishikimi i të gjitha vendimeve dhe të kuadrit ligjor që rregullon administrimin e trashëgimisë kulturore në këto zona.
– Përcaktimi i kompetencave të qarta të institucioneve të Trashëgimisë Kulturore, të cilat nuk duhet të veprojnë në bazë të vullneteve individuale dhe as të interesave të ditës, por si rezultat i kuadrit ligjor, vendimeve kolegjiale dhe afatgjata të eksperteve të fushës.
– Një reformë në sistemin e administrimit të TK për një menaxhim më të mirë territorial, për rritje të përgjegjësisë së aktorëve në terren dhe për një mbulim më të plotë të territorit.
