Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, theksoi sot në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në Paris, se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është jo vetëm i nevojshëm, por mëse i merituar.
Gjatë fjalës së saj ministrja Kumbaro tha se “përsa i përket qasjes së tyre ndaj trashëgimisë kulturore autoritetet kosovare dhe elita e kosovës kanë treguar përgjegjësi institucionale dhe kulturore. Ata kanë reaguar njëzëri kundër dëmeve të shkaktuara nga trazirat e marsit 2004 ndaj kishave e manastireve ortodokse”.
“Pjesa më e madhe e objekteve të dëmtuara nga trazirat e vitit 2004 janë restauruar dhe rindërtuar me financimet e qeverisë së Kosovës dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Që prej fillesës së qytetërimit ballkanik trashëgimia kulturore në Kosovë ka qenë themeli i përbashkët i burrave e grave, të cilët kanë ndarë gjithçka, konfliktin dhe armiqësitë e një brezi madje edhe dy, e nuk mund të ndryshojnë çfarë përmban toka në thellësitë e saj kulturore dhe historike”, nënvizoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro theksoi se nuk është thjesht një çështje anëtarësimi në UNESCO, por është e gjithë çështja e emancipimit të shoqërisë dhe të gjithë shoqërive të mendjes së hapur.
“Kosova me historinë , popullin, monumentet dhe kulturën e saj ka ruajtur një pjesë të mozaikut kulturor të Ballkanit .Të gjitha shtetet e tjera të rajonit janë anëtarë të UNESCO dhe do të ishte absurde , madje edhe qesharake që një anëtar i familjes së Ballkanit të mos jetë formalisht brenda organizatës më të madhe në aspektin kulturës dhe arsimit”, u shpreh Kumbaro.
