Dy nuset që vranë vjehrrën disa ditë më parë në Dibër thonë se arsyet që i shtynë drejt krimit nuk kanë të bëjnë me çështje morali. Të pëshpëritura nëpër fshat se kishin pasur lidhje jashtëmartesore dhe kjo mund të ishte arsyeja që vranë vjehrrën, ato mohojnë kategorikisht. “Gratë e Skukajve nuk kanë shanse të kenë meshkuj të tjerë veç burrave me të cilët janë martuar”, citohen gratë në gazetën “Panorama”.
Ato sqarojnë edhe rrethanat e krimit. “Rreth orës 10:00 të 12 shkurtit të këtij viti, pasi kemi debatuar me vjehrrën, e kemi lidhur atë me litar në kasollen e bagëtive. Ajo bërtiste me zë të lartë dhe përpiqej të na përballonte. Ne dyshojmë se pikërisht në këto momente komshinjtë duhet të kenë dëgjuar britmat e Naimes. Nuk e patëm menduar vrasjen e vjehrrës, por ajo vazhdoi fyerjet e kërcënimet në adresën tonë”, ka treguar Xhemilja. Ndërsa Hikja ka vazhduar: “Pas debateve të ashpra në qilarin e bagëtive, Xhemilja shkoi në banesë dhe ngrohu një xhezve me vaj në zjarr. Në momentin që vjehrrën e lidhëm me litar nga këmbët e duart, asaj i ra të fikët, humbi ndjenjat dhe nisi të dridhej nga frika, kuptoi se diçka e keqe po i ndodhte. Xhemilja solli vajin e nxehtë në kasolle, ku vjehrra ishte gati e përgjumur. Ia hodhëm në vesh dhe pamë se brenda pak minutave vjehrra dha shpirt”. “Ne, – vijon Hikja, – pasi konstatuam vdekjen e vjehrrës, ramë dakord ta groposim në kasollen e bagëtive. Veglat e punës i kishim në kasolle, sepse i përdornim për largimin e plehut të bagëtive. Hapëm një gropë afro gjysmë metri thellësi dhe futëm plakën brenda ashtu siç ishte, me ato rroba që kishte veshur”.
“Nuk e vramë për çështje morali”
“Nuk është e vërtetë se e kemi mbytur vjehrrën për çështje morale, pasi ne nuk kemi pasur lidhje intime me asnjë person. Janë thjesht thashetheme të banorëve të fshatit Hotesh. Gratë e Skukajve nuk kanë shans të kenë të dashur, pasi burrat e këtij fisi janë të ashpër”, kanë pohuar Xhemile e Hike Skuka për grupin hetimor të ngjarjes që tronditi Dibrën, ngjarje e cila ka përfunduar te Krimet e Rënda. Ato thonë se janë penduar për krimin e kryer. “Na erdhi keq që e mbytëm vjehrrën dhe mëngjesin e së premtes ramë dakord të tregojmë ngjarjen. Fëmijët kërkonin gjyshen, ndërkohë sa herë hynim në kasolle, na kujtohej krimi. Menduam po ashtu se fqinjët na kishin diktuar dhe vendosëm të tregojmë krimin”, kanë thënë ato para hetuesve.
Arrest me burg nuseve që vranë vjehrrën
18 shkurt – Gjykata e Dibrës ka lënë në “arrest me burg” dy nuset, që në bashkëpunim me njëra-tjetrën vranë vjehrrën e tyre, disa ditë më. Dy rejat e 68-vjeçares Skuka e kanë pranuar krimin, për të cilin kanë thënë se motiv ka qenë keqtrajtimi që ajo u bënte vazhdimisht.
Xhemile dhe Hike Skuka, pritet të dërgohen në Tiranë në burgun 313. Mësohet se paraprakisht ato po u nënshtrohen vizitave mjekësore në spitalin e Peshkopisë, mes tyre edhe ekzaminimit për ndonjë shtatzëni të mundshme. 6 fëmijët e dy grave janë marrë nga bashkëshortët e tyre, të cilët janë kthyer nga Greqia pas lajmit për vrasjen e nënës.
Zbardhen detaje të vrasjes së vjehrrës, policia: Iu hodh vaj i nxehtë në vesh
15 shkurt – Ajo që fillimisht u tha se ishte vrasje gjatë një konflikti të çastit po i ngjan gjithnjë e më tepër një vrasjeje me paramendim. Ekspertiza mjeko-ligjore e kryer mbi turpin e 68-vjeçares Naime Suka ka nxjerrë përfundimin se e moshuara ka vdekur si pasojë e vajit të nxehtë që i është hedhur në vesh.
Ngjarja e rëndë u zbulua sot paradite në fshatin Hotesh të komunës Luzni në Dibër, por mendohet se ka ndodhur tre ditë më parë. Policia tha fillimisht se një konflikt i çastit që kishte lindur mes 68-vjeçares Suka me nusen e djalit të saj kishte përfunduar me goditjen me mjete të forta të të moshuarës, çka i ka shkaktuar asaj vdekjen. E reja e viktimës, Xhemile Suka, është vetëdorëzuar në polici, duke pranuar krimin, pasi e kishte varrosur vjehrrën në kasollen e lopës, në bashkëpunim me kunatën tjetër, Hike Suka.
Policia ka arrestuar dy kunatat, të cilat jetonin vetëm me vjehrrën, pasi djemtë e saj (burrat e dy grave) ndodhen në emigrim.