Prof. Dr. Lekë SOKOLI*
Presidenti Meta nuk dekretoi Skënder Gjinushin për në krye të Akademisë së Shkencave, siç ishte vullneti i akademikëve që e zgjodhën atë. Paralelisht, nga komisioni parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, po shqyrtohet projektligji “Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë”, një iniciativë kjo e një grupi deputetësh dhe jo e e qeverisë shqiptare.
Druaj se tani do të ndodhë ajo që populli e ka shprehur kështu: “Për inat të sime re, çova tim bir në dhe…” Pra, tanimë edhe në inat e sipër, mund të shndërrohet në ligj projektligji për Akademinë e Shkencave që është zyrtarisht në shqyrtim.
I pyetur nga komisioni parlamentar, unë jam shprehur kundër këtij projektligji, apo edhe kundër draftit alternativ të akademikut Artan Fuga e që, pavarësisht zhurmës, në thelb janë të njëjtë. Ja, shkurtimisht, arsyet:
1. Akademia e Shkencave ka nevojë për një reformë tërësore. Këtë e pranojnë të gjithë. Madje i madhi Dritëro Agolli kishte një ‘merak të fundit’ edhe për akademinë, kur na e la si amanet: “Në të gjitha vendet akademitë e shkencave po fuqizohen. Edhe në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi… Vetëm në Shqipëri akademia dobësohet. Fuqizojeni akademinë që të zhvillohet Shqipëria…”
Pra, reformimi real i Akademisë së Shkencave është i domosdoshëm, madje i vonuar. Por, projektligji që po diskutohet nuk ka risi, në raport me ligjin ekzistues. Propozuesit nuk kanë analizuar se çfarë nuk shkon në ligjin ekzistues, çfarë risish ka në draftin që propozojnë dhe, mbi të gjitha, cilat janë garancitë që ligji dhe kjo reformë të mos pësojnë fatin e ligjeve të mëparshme, të viteve 1994, 1998, 2004, 2006, 2007, 2008, 2010 dhe reformave shoqëruese. Sepse për shkencën dhe Akademinë, në kaq pak vite, janë bërë shumë ligje apo amendime ligjesh, duke përfshirë edhe ndërhyrjet dhe interpretimet e Gjykatës Kushtetuese, sidomos për ligjin “Për Akademinë e Shkencave” të vitit 2006 dhe reformës shoqëruese (shkatërruese) të vitit 2007.
Pra, me këtë ligj (aktualisht projekt) nuk mund të realizohet reforma e pritshme.
2.Ky (projekt)ligj nuk i shkon problemit në thelbin e tij. Gjendja e sotme e Akademisë së Shkencave është produkt i reformës rrënuese të vitit 2007, bazuar në ligjin nr. 9655, datë 11.12.2006. Ndaj çdo debat, iniciative ligjore apo reformim duhet të ketë pikënisje. Reforma e vitit 2007 e shndërroi Akademinë në një institucion honorifik, institucion që nuk ka detyrim ligjor dhe institucional për t’u marrë me kërkim shkencor. Institutet në vartësi të Akademisë duhej t’u kalonin universiteteve. Por kjo nuk u bë dhe ato mbetën rrugëve.
Ndërsa institutet tona më përfaqësuese (Arkeologji, Gjuhësi dhe Letërsi, Histori, Kulturë Popullore) u grupuan në Qendrën e Studimeve Akademike (QSA), e cila më pas QSA u shndërrua në akademi, Akademi e Studimeve Albanologjike (ASA), duke mbetur me një status jo vetëm të paqartë, por edhe të paparë. Nga njëra anë, ajo është njësi kërkimore jashtë sistemit universitar. Por, nga ana tjetër, ajo u bë pjesë e sistemit universitar. Asaj iu dhanë programe studimi në nivelin e dytë dhe të tretë të studimit (master shkencor dhe doktoraturë, pa patur nivelin e parë të studimeve (!). Pra, ajo është edhe universitet edhe akademi, ose as universitet as akademi. Sidoqoftë, aktualish në Shqipëri janë dy akademi publike, buxhetore: (1) Akademia e Shkencave e Shqipërisë – e cila po synohet të reformohet dhe (2) Akademia e Shkencave e Albanologjisë, e cila nuk është pjesë e këtij projekti reformues.
3.Midis reformës së vitit 2007 dhe asaj që pretendohet të realizohet në vitin 2019, është miratuar ligji 802/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë”. Ky ligj ka një ndryshim esencial nga ligjet e mëparshme. Sepse, për herë të parë, theksohet si ligj “për kërkimin shkencor në IAL-të”. Nëse mbajmë parasysh edhe ligje të tjera të veçanta, apo vendime të Këshillit të Ministrave, mund të themi se kërkimi shkencor në Republikën e Shqipërisë është fragmentarizuar në atë masë saqë është vështirë të ndërtosh një skemë të rrjetit të kërkimit shkencor, me përgjegjësitë, fushat e kërkimit dhe mësën (përqindjen) e financimit të çdonjërës prej institucioneve përbërëse të tij. (Projekt)ligji në shqyrtim jo vetëm nuk qartëson, por shkakton përplasje institucionale.
4.Në relacionin shoqërues të projektligjit thuhet: “… për të ndërtuar një Akademi të Shkencave sipas modeleve më të suksesshme bashkëkohore…” Kjo përfaqëson një të pavërtetë të madhe. Akademia që do të kemi me këtë ligj (nëse ai miratohet) nuk i referohet aspak përvojës dhe modeleve të akademive publike (buxhetore, përfaqësuese) të shteteve, sidomos të shteteve me popullsi nën pesë milion banorë, me të cilat duhet të krahasohemi. Të gjitha kanë akademi jo-honorifike, por me institute kërkimi dhe që kryejnë realisht kërkim shkencor.
Kam studiuar përvojën e Akademive të Shkencave të të gjitha vendeve të BE-së, por edhe të vendeve me përvoja unike, siç janë katër “Dragonjtë e Azisë” etj. Thuajse të gjitha kanë akademi me institute, që realizojnë kërkim shkencor: Austria (një model i hershëm për shtetet e tjera), Hollanda, Belgjika, Suedia, Greqia, Polonia, Çekia, Sllovenia, Sllovakia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Kroacia, vendet Balltike etj., etj.
Në asnjë nga vendet e Ballkanit, si në Greqi, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi, Serbi, Bosnje-Hercegovinë, Slloveni, Kroaci, Rumani e Bullgari, akademitë nuk janë honorifike. Ato kanë njëherësh edhe ‘honorifizmin’ (më saktë përfaqësimin e komunitetit të shkencëtarëve dhe studiuesve) plus institutet kërkimore. Rasti i Maqedonisë fqinje është më i veçanti, sepse atje u eksperimentua ‘honorifizmi akademik’, por më pas u bënë korigjime. Tani Akademia e Maqedonisë së Veriut ka pesë institute kërkimore në vartësi të saj.
Pra, reforma që na propozohet përmes këtij projektligji, nuk përkon me asnjë ndër modelet e botës së sotme. Sot kudo në botë kërkimi shkencor është përqendruar dhe po përqendrohet në institute të specializuara, që merren ekskluzivisht me kërkim shkencor. Edhe Gjermania dhe Franca janë shembuj ku kërkimi i mirëfilltë shkencor bëhet në institute dhe qendra që kërkimin e kanë detyrë të vetme. I tillë është Instituti Max-Plank në Gjermani, me mbi 100 institute në juridiksionin e vet. Ndërsa në Francë institutet e shumtë që lëvrojnë kërkimin shkencor në fusha të ndryshme, nga kozmanautika te etnomuzikologjia, janë përfshirë në Qendrën Kombëtare të Kërkimit Shkencor (CNRS). Theksojmë se Qendra Kombëtare e Kërkimit Shkencor (CNRS) të Francës dhe Instituti Max-Plank i Gjermanisë janë institucionet që renditen në vend të dytë dhe të tretë në botë për nga sasia e fondeve për kërkim shkencor (e para është Akademia e Shkencave të Kinës, i katërti Universiteti i Harvardit).
5.Një pikë e përhershme referimi, madje për çdo ligj të Republikës së Shqipërisë, duhet të jetë Republika e Kosovës. Kjo sepse përafrimi i legjislacionit dhe i reformave është një parakusht për integrimin mbarëkombëtar (nuk po them unifikim). Kjo është më e domosdoshme për ligjet dhe reformat që bëhen në fushën e arsimit e të kërkimit shkencor, sepse i hapin rrugë kooperimit, shkëmbimit etj., etj. Çuditërisht, as ky projektligj që na është paraqitura nuk kanë afërsi, madje as në modelin që propozohet, me ligjin “Për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”, miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor 2015. Kjo më duket e pafalshme.
6.Projektligji ‘për një akademi honorifike të shkencave’ bëhet kur Shqipëria është e fundit, madje me diferencë të madhe me të tjerët, për buxhetin e kërkimit shkencor. Në raport me të ardhurat për frymë, Maqedonia finacon për kërkimin shkencor dymbëdhjetë herë më shumë se Shqipëria, Serbia tridhjetenjë herë më shumë. Ndërsa vendet e BE-së shpenzojnë për kërkimin shkencor mesatarisht 70 herë më shumë se Shqipëria. Pa folur për vendet e BE-së që janë mbi mesataren, apo për Korenë e Jugut (e cila për kërkimin shkencor financon rreth 6 për qind të PPB), Izraelin, Gjermaninë etj., etj.
Në relacionin shoqërues të paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë thuhet se “projektligji nuk sjell si pasojë rritje të shpenzimeve buxhetore…” Por, cili është buxheti i Akademisë së Shkencave, në këtë financim gjithsesi të varfër të kërkimit shkencor në Shqipëri? Akademia e Shkencave, ndonëse vetëm honorifike, ka qenë institucioni publik që ka përfituar më shumë fonde nga buxheti i kërkimit shkencor, 22.1 përqind të buxhetit kombëtar (INSTAT). Për t’u theksuar është fakti që në zërin “kërkim-eksperimentim” (R&D) përfshihet në mënyrë disi abuzive granti i Akademisë së Shkencave, e cila me statusin e sotëm nuk merret realisht me kërkim shkencor.
Pra, në kushtet kur Shqipëria është e fundit në Europë madje me diferencë shumë të thellë nga vendet me të cilat mund dhe duhet të krahasohemi, për nga financimi i kërkimit shkencor, rikonfirmimi i Akademisë së Shkencave si një institucion honorifik, që nuk bën kërkim të drejtpërdrejtë shkencor, është një luks i tepruar.
7.Mendojmë se çështja themelore është integrimi i kërkimit shkencor dhe i institucioneve përkatëse në Shqipëri, jo fragmentarizimi i tyre. Ndaj rasti më i mirë do të ishte që, në vend të një ligji të veçantë për Akademinë, të hartohet dhe të miratohet një ligji i integruar për shkencën (Ligj për shkencën në Republikën e Shqipërisë), me kapituj të veçantë për institucionet shkencore, si: (1) Universitetet dhe shkollat e larta dhe institutet kërkimore në përbërje të tyre; (2) Institutet dhe qendrat shkencore të Akedemisë së Shkencave; (3) Institutet dhe qendrat shkencore të Ministrive dhe të institucioneve qendrore; (4) Qendrat kombëtare të kërkimit shkencor (i tillë ka qenë pak a shumë ligji i vitit 1994).
Pra, në vend të një ligji të veçantë për Akademinë e Shkencave dhe para tij, duhet shqyrtuar dhe miratuar një ligj nkuadër, një ligj i integruar për shkencën. Drafti i këtij ligji është hartuar dhe është hedhur për diskutim nga Ministria e Arsimit, Soprtit dhe Rinisë (ministria që mbulon shkencën).
8.Sidoqoftë, ndryshe nga drafti i paraqitur, ligji duhet të sanksionojë se: Akademia e Shkencave është institucioni më i lartë i kërkimit shkencor në Republikën e Shqipërisë dhe (te ‘detyrat e Akademisë’); se Akademia ka për detyrë që të kryejë kërkime shkencore fondamentale dhe aplikative në fusha të ndryshme të shkencave, sidomos në fushën e shkencave albanologjike; se njëherësh Akademia përfaqëson shkencëtarët dhe kërkuesit, si dhe promovon kërkimin edhe në fusha të tjera të shkencës. Pra, me këtë skemë, Akademia duhet të shndërrohet në qendrën më të madhe të kërkimit shkencor, sidomos albanologjik dhe me institute/institucione partnere (affiliated) në IAL-të publike, edhe në fusha të tjera të shkencës.
9.Besojmë se është koha që dy akademitë e sotme publike (buxhetore) të shkrihen në një, jo me një transferim mekanik të ASA-së në Akademinë e Shkencave, por me një sistem ku rolin kryesor e kanë ata që merren me kërkim të drejtpërdrejtë. Për drejtimin e veprimtarisë së Akademisë, normalisht duhet parashikuar që të krijohet Këshilli Drejtues i Akademisë. Kështu e ka emërtuar edhe Kosova etj., por emërtimi nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka përbërja dhe ajo mund të përbëhet nga Kryetari, (dy) zëvendëskryetarët dhe drejtorët e katër instituteve shkencore të Akademisë (Arkeologji, Gjuhësi dhe Letërsi, Histori, Kulturë Popullore).
Pra, pretendimi minimal duhet të jetë që Akademine e Shkencave me institutet e saj (vetëm albanologjike) të shndërrohet në një laborator të mendimit shkencor, në qendrën botërore të studimeve albanologjike dhe, përsërisim, me institute/institucione partnere (affiliated) në IAL-të publike, edhe në fusha të tjera të shkencës.
Më tej, Akademia me asamblenë e saj mund/duhet të përfaqësojë shkencën në të gjitha fushat. Ajo, me marrëveshje e kontribute dypalëshe, mund të krijojë institute kërkimi pranë universiteteve publike, siç përcakton edhe ligji 80/2015 i arsimit të lartë. Përmes tyre do të zhvillohet kërkim shkencor i specialzuar (sipas profilit të universiteteve) në të gjitha fushat me interes kombëtar.
10.Sa më sipër mendojmë se projektligji i paraqitur nuk u përgjigjet kërkesave për reformimin e sistemit të kërkimit shkencor dhe as të vetë Akademisë së Shkencave. Ndaj ai nuk duhet të kalojë për shqyrtim e miratim. Puna e komisionit që ka hartuar këtë projektligj, sidomos në raport me Universitet Publike, lë shumë për të dëshiruar. Mund të themi se ato thjesht nuk janë përfshirë. Kemi propozuar, për shembull, që zhvillohej një prezantim/debat në me autorët e dy drafteve (të hartuara nga ‘Komisioni Gjinushi’ dhe prof. Artan Fuga (në prani të drejtuesve të MASR), ku çdonjëri të argumentojë variantin e vet, ballafaquar me kontestimet dhe propozimet e personelit akademik të universiteteve. Por, as kjo nuk u bë.
Shprehim bindjen se ky projektligj nuk garanton një reformë cilësore dhe një akademi të madhe, siç duhet të jetë Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Përkundrazi me këtë (projekt)ligji, akademia nuk do të zhvillohet. Ajo do të jatë gjithnj e atakuar, nuk do te kete kurre një status për të qenë, sikurse edhe një godinë të denjë (të paktën siç e ka Kosova ku godina e akademisë është njesoj si e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës).
Ndaj uroj që të refllektohet, për të sanksionuar kërkesën që Akademia e Shkencave të jetë institucioni më i lartë i kërkimit shkencor në Republikën e Shqipërisë, një institucion që kryen kërkime shkencore fondamentale dhe aplikative në fusha të ndryshme të shkencave, sidomos në fushën e shkencave albanologjike, një institucion me peshën që meriton në zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë. Unë vazhdoj të besoj…
* Drejtor i Institutit Shqiptar të Sociologjisë; Zv.Rektor për Kërkimin Shkencor i Universitetit “Aleksander Miosiu”, Durrës

Nuk kemni nevoje as per Akademi te Shkencave e as per Institute Shkencore!
Te gjitrha idete dhe punet i lindin vetem kryeministrit piktor dhe kryebashkiakut Veliaj!
A keni degjuar ju,qe per investimet vjetore te diskutohet gjekundi ketu?
Dhe derdellitin pastaj se nuk po shohim gjekundi DIKTATURE!
Nuk sheh,se te kane plasur te dy syte e kokes dhe te mendjes!
Mos kerkohet qe diktaturen ta kete shkruar Rama ne balle.qe ta pranojme ne populli?
Lexova deri ke pika gjashte dhe me thon te zhdrejten m’u sos durimi…
Keta bicim rek.torash ngjajne pak a shume me ate foshnjen qe ia nis me te qara e me ngasherime vetem e vetem se do te pije qumesht.
Per pará o akademone shkencash pe leshi, per pará !
Per sa kohe delet do i mbajne kokat e ulura mbi bar, e ardhmja juaj do jete e garantuar.