Franca vazhdon me intensitet përgatitjet për ndeshjen me Shqipërinë në qendrën e saj stërvitore në Clairefontaine. Pas ditës së parë, trajneri Didier Deschamps rriti ngarkesën fizike për futbollistët gjatë ditës së dytë, ndërsa i kushtoi vëmendje dhe ushtrimeve taktike dhe atyre me top, duke zhvilluar madje dhe një ndeshje të shkurtër kontrolli me lojtarët që kishte në dispozicion.
Maxime Gonalons pritet të jetë një prej lojtarëve, që do të luajnë titullar ndaj Shqipërisë. Mesfushori i Lionit i pyetur për sfidën e së shtunës në “Elbasan Arena” theksoi se Franca do të bëjë maksimumin për të fituar dhe për të bërë një lojë të mirë, pas paraqitjes zhgënjyese ndaj Belgjikës:
“Me Belgjikën nuk luajtëm mirë dhe tashmë ndaj Shqipërisë duhet të tregojmë të gjithë forcën tonë për të përmirësuar dhe imazhin e krijuar pas humbjes së ‘Saint Denis’. Trajneri kërkon që skuadra të reagojë dhe besojmë se do t’i përgjigjemi thirrjes së tij”, – tha francezi.
Për Gonalons, që deri tani ka luajtur vetëm 6 ndeshje me kombëtaren franceze është një kënaqësi që të luajë për “Gjelat” në ndeshjen me Shqipërinë.
“Për mua është një nder që jam grumbulluar nga Deschamps. Besimin që më ka dhënë trajneri do të përpiqem ta përligj maksimalisht. Nuk është e lehtë të gjesh hapësira në këtë kombëtare, ndaj sa herë që krijohet mundësia duhet të japësh maksimumin për skuadrën”.
Deschamps do të ketë të gatshëm për ndeshjen me Shqipërinë dhe Pogba e Evra, që nuk ishin në ndeshjen me Belgjikën për shkak të finales se Champions. Franca do të udhëtojë drejt Tiranës këtë të enjte dhe do të zhvillohet dy seanca stërvitore, të enjten në orën 18:00 dhe të premten në orën 17:30.
