Pranvera Kola – DITA
Mbikëqyrja dhe administrimi i provimeve të Maturës Shtetërore 2017 do të zbatohet në të njëjtën rregullore, sikundër ka ndodhur edhe gjatë viteve të shkuara. Zëvendësministri i Arsimit, Gerti Janaqi, ka qetësuar maturantët gjatë ditës së djeshme, duke konfirmuar se fushata zgjedhore nuk do të ketë asnjë ndikimin në cenimin e mbarëvajtjes së provimeve të maturës.
Aktualisht grupet e ekspertëve të MAS dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore janë duke zhvilluar përgatitjet finale për të bërë gati infrastrukturën e duhur për maturën e 2017-ës, ku provimi i parë do të zhvillohet me datën 5 qershor. Krahas fondit të pyetjeve për testet, janë detajuar edhe të gjitha ambientet në të cilat do të zhvillohet provimi, si dhe lista zyrtare e kandidatëve që do të marrin pjesë në provimin e parë të detyruar të maturës.
“Ne kemi vendosur që politikën ta mbajmë larg nga shkolla, këtë kemi bërë në këto katër vite. Pavarësisht se ky është një vit elektoral, ne do të ruajmë të njëjtin standard në mënyrë që të mos ketë asnjë ndikim politik. Është një proces teknik, i cili do të vijojë normalisht nën masa të rrepta administrimi, sikundër ka ndodhur edhe në maturat e shkuara.
Nuk mund të themi se ka shtim apo ndryshim masash, është e njëjta rregullore, i njëjti komunitet, e njëjta marrëveshje me policinë, me shërbimin e postës dhe strukturat e tjera që do të vijnë në ndihmë të administrimit të provimeve”, vuri në dukje zëvendësministri i Arsimit Gerti Janaqi.
Maturantëve tashmë po u komunikohen edhe rregullat finale për ditën e provimit, teksa edhe administratorët janë trajnuar dhe udhëzuar në lidhje me zbatimin e rregullores së provimeve.
Sipas kushteve të detajuara në rregulloren e Maturës Shtetërore, maturantët duhet të paraqiten në ambientet e provimit detyrimisht 1 orë e 30 minuta para nga nisja e testimit, kohë në të cilën duhet të kalojë të gjitha procedurat e kontrollit nga administratorët mbikëqyrës.
Këta të fundit do të bëjnë edhe sistemimin e maturantëve sipas vendit të përcaktuar për secilin prej tyre në listën zyrtare të zbardhur nga Qendra e Shërbimeve të arsimit për çdo ambient provimi.
Në këto kushte, hyrja, shpërndarja dhe sistemimi i çdo pjesëmarrësi nëpër salla, lejohet vetëm duke ndjekur rreptësisht rendin zbritës të listës emërore të dërguar nga kjo qendër.
Vendi i përcaktuar për maturantët, apo kandidatët që mungojnë do të mbetet bosh, teksa ndalohet kategorikisht ndërrimi i vendeve.
Maturanti duhet të plotësojë testin me stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu. Gjatë kohës së zhvillimit të provimit drejtorit të shkollës i ndalohet të jetë i pranishëm në mjediset e provimit, për të mos lejuar rrjedhje të informacionit.
Rregullorja e provimeve të 2017-ës përcakton më tej se maturanti mund të kërkojë një kopje të testit të vlerësuar, por vetëm pasi të kenë përfunduar të gjitha provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të maturës.
MAS do të bëjë publike afatet, si dhe hapat që do të ndiqen për plotësimin e kërkesës që do dorëzohet për të marrë fotokopjen e korrigjuar të testit.
Fakultetet informojnë maturantët për kuotat dhe kriteret
Në prag të nisjes së provimeve të Maturës 2017, edhe universitetet kanë çelur fushatën e informimit të maturantëve në lidhje me programet e studimit që ofrojnë, kriteret e përzgjedhjes, si dhe kuotat e mundshme të pranimit.
Drejtuesit e fakulteteve të Universitetit të Tiranës, i cili rezulton të jetë edhe një ndër më të kërkuarit nga maturantët, kanë sqaruar ndryshimet dhe kushtet e pranimit që do të zbatohen për garën e këtij viti.
Konkretisht në Fakultetin Ekonomik parashikohet të ketë një rritje kuotash prej 10 për qind, ndërsa fituesit do të përzgjidhen duke u bazuar tek mesatarja e shkollës së mesme në masën 50 për qind, teksa po të njëjtin ndikim do ketë edhe mesatarja e lëndëve prioritet.
Ndërsa në programet e fakultetit të Histori-Filologjisë do të pranohen 150-160 fitues për çdo degë, dhe shpallja e fituesve bazohet tek mesatarja e shkollës së mesme në masën 80 për qind, ndërsa notat e lëndëve të maturës në masën 20 për qind.
Çdo institucion i arsimit të lartë i ka bërë tashmë propozimet në lidhje me kuotat e mundshme të pranimeve, që pritet të jenë në të njëjtat nivele me ato të vitit të shkuar, vendimi i cili do të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave gjatë javëve në vijim.
Mësuesit mbikëqyrës humbasin punën nëse neglizhojnë:
- Të paraqiten në orën 06.00 në DAR/ZA për monitorimin e hedhjes së shortit, për shpërndarjen e administratorëve në qendrat e provimit.
- Të shoqërojnë kutinë së bashku me përgjegjësin e Administrimit të Provimit nga DAR/ZA në qendrën e provimit.
- Të monitorojnë hedhjen e shortit në qendrën e provimit për ndarjen e administratorëve në klasa.
- Të monitorojnë futjen e maturantëve, sipas listës së Qendrës së Shërbimeve Arsimore (ish KP), kontrollin për celularë dhe verifikimin e dokumentit të identifikimit.
- Të marrin masa për largimin e drejtorit të shkollës nga mjedisi i provimit, pas dorëzimit të çelësave të drejtorisë
- Të mbajnë procesverbal për çdo parregullsi të vërejtur, si dhe të monitorojnë hapjen e kutisë në prani të maturantëve të një klase.
- Të monitorojnë shpërndarjen e testeve, duke bërë kujdes që çdo maturant të pajiset me testin përkatës.
- Të monitorojnë procesin e sekretimit, duke bërë kujdes që të mos mbetet asnjë test i pa sekretuar
- Të monitorojnë procesin e mbledhjes së testeve, futjes në kuti, vendosjen e çdo procesverbali të mbajtur dhe vulosjen e kutisë.
- Të shoqërojnë kutinë së bashku me përgjegjësit e sekretimit të testeve, nga qendra e provimit në DAR/ZA, duke e dorëzuar me procesverbal.
- Të raportojnë në momentin e mbylljes së shortit dhe fillimit të shpërndarjes së kutive
- Të raportojnë, pasi të gjithë maturantët janë futur në ambientet e provimit, shpërndarjen e testeve dhe fillimin e provimit
- Të raportojnë në momentin kur mbaron provimi dhe kur kutia me materiale është gati
- Të raportojnë pas dorëzimit të kutisë në DAR/ZA.
- Pas mbylljes së provimit të dërgojnë me e-mail raportin e monitorimit dhe ditën e hënë ta dorëzojnë atë së bashku me procesverbalet e mbajtura (nëse ka) në MAS.
Valentina Duka
“Maturanti mjafton të ketë mesatare mbi notën 6 (sepse është detyrim ligjor) dhe mund të aplikojë për të qenë pjesë e Fakultetit të Histori-Filologjisë. Në shpalljen e fituesve, 80 për qind e zë mesatarja aritmetike e gjimnazit dhe 20 për qind mesatarja aritmetike e lëndëve të Maturës Shtetërore. Ne kemi planifikuar kuota për 150-160 studentë për çdo degë studimi” bën me dije drejtuesja e këtij fakulteti, Valentina Duka.
Dhori Kule
Referuar pranimeve të vitit të shkuar, fakti që ra cilësia, që mbetën kuota të paplotësuara në UT, faktit që maturantët nuk kishin të drejtë të çregjistroheshin, pra të gjitha këto elemente që u verifikuan si defekte, këtë vit do të korrigjohen. Në shpalljen e fituesve për degët e Fakultetit Ekonomikut, 50 për qind e zë mesatarja e shkollës së mesme, si dhe 50 për qind mesatarja e gruplëndëve prioritet të caktuara nga vetë fakulteti”, bën me dije dekani Dhori Kule.
Artan Hoxha
“Jemi përqendruar tek lëndët që janë të detyrueshme në shkollën e mesme, duke eliminuar diferencat që kanë programet, shkollat e mesme, duke u dhënë kështu mundësi të gjithë studentëve që të konkurrojnë në Fakultetin e Drejtësisë. Në shpalljen e fituesve 50 për qind e zë mesatarja e shkollës së mesme, si dhe 50 për qind mesatarja e gruplëndëve që vlerësohen si prioritet vetëm për këtë fakultete” thekson dekani i këtij fakulteti Artan Hoxha.
Artur Sula
Për pranimet e 2017-ës kemi vendosur kriteret bazë të përcaktuara edhe nga Ministria e Arsimit. Konkretisht, si kriter pranimi do shërbejë mesatarja e thjeshtë e shkollës së mesme. Ne nuk i kemi ndryshuar tarifat e studimeve. Ofrojmë si gjuhë të re që listohet nga ky vit gjuhën hebraike. Gjithashtu mendojmë shumë shpejt të fusim edhe gjuhën arabe, teksa do të fuqizojmë shumë edhe gjuhën kineze”, thekson dekani i Gjuhëve të Huaja Artur Sula.
