Mjekësia konfirmon 782 kuota të reja pranimi për të gjithë kandidatët që duan të ndjekin studimet e nivelit të dytë në programet “Master profesional”, si dhe “Master shkencor” në të gjitha fakultetet që janë pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë publik në vend. Sipas vendimit të kaluar nga Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, këto kuota ndahen ndërmjet kandidatëve që konkurojnë brenda vendit, si dhe kuota të veçanta të dedikuara për shqiptarët jashtë kufijve, për studentët jetimë, për romët dhe ballkano-egjiptianët.
Konkretisht, 782 kuotat e miratuara ndahen në 711 kuota për kandidatët brenda vendit, 59 kuota për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit, 6 kuota për kandidatët me statusin e jetimit, si dhe 6 kuota të tjera për kandidatët që konfirmojnë se u përkasin shtresave rome dhe ballkano-egjiptinae. Në vijim të shkrimit gjeni të plotë kuotat e konfirmuara për secilin program studimi të këtij universiteti. Po sipas vendimit, kuotat e pranimit që do të mbeten të parealizuara do të rishpërndahen nga Rektorati bazuar në propozimet e dekanateve të njësive kryesore të Universitetit të Mjekësisë.
Aplikimi për programet e ciklit të dytë do të zhvillohet përgjatë muajit tetor, ku çdo kandidat që plotëson kushtet e përcaktuara mund të konkurojë duke depozituar në afatet e përcaktuara dosjen e dokumenteve të kërkuara. Sa i takon kushteve të përcaktuara, mund të aplikojnë për programet e ciklit të dytë kandidatët që kanë përfunduar në Republikën e Shqipërisë me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse, në një program të ciklit të parë “Bachelor”, ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë, i cili rezulton i akredituar në momentin e diplomimit të studentit. Në garë do të përfshihen edhe të gjithë kandidatët që janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë “Bachelor”, ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë dhe kanë kryer njësimin e diplomës pranë dikasterit të arsimit sipas kushteve të përcaktuara”, bëjnë me dije ekspertët e këtij institucioni.
Të drejtën për të vijuar studimet në programet e “Masterit profesional”, si dhe “Masterit shkencor” do ta gëzojnë kandidatët me mesataren më të lartë të studimeve të nivelit të parë, sipas numrit të kuotave të miratuara për secilin program studimesh.Të parët në përzgjedhje do të jenë kandidatët e diplomuar në ciklin e parë të studimeve në universitetet publike. Ndërkohë që të drejtë për të përfituar nga këto kuota e kanë edhe të diplomuarit në strukturat private të arsimit të lartë në vend.
Programet e studimit “Master i shkencave” e pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë në shkenca përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
Ndërsa programet e studimeve “Master profesional” e pajisin të diplomuarin me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Në përgjithësi këto programe organizohen me 120 kredite dhe kohëzgjatja është 1.5 vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” do të përmbyllen me provim përfundimtar formimi, ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer
