Përgjatë vitit të ri akademik 2022-2023 në programet e ciklit të dytë që japin akses në fushën e mësuesisë për gjuhët e huaja, do të mund të vijojnë studimet e larta 695 studentë të rinj. Sipas ndarjes së miratuar tashmë nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës për pranimet e reja në ciklin e studimeve “Master” për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, bëhet e ditur se pjesa dërrmuese e kuotave të pranimit janë për programet e nivelit “Master shkencor” në të cilat do të pranohen 655 studentë të rinj.
Për këtë cikël gara do të zhvillohet në tetë profile të ndryshme gjuhësore. Ndërsa në ciklin profesional do të garohet vetëm për një program studimi që ka të bëjë me përkthimin, ku do të pranohen 40 kandidatë. Ndarjen e plotë të kuotave të pranimit për secilën degë e gjeni në vijim të shkrimit. Kundrejt kuotave të miratuara, pak më herët janë shpallur edhe kriteret që do të zbatohen për përzgjedhjen e fituesve që do të pranohen në secilin program studimi.
Kriteret e pranimit në programet e mësuesisë
Të drejtën për të konkurruar për këto kuota pranimi do ta kenë të gjithë kandidatët që kanë përfunduar programin e ciklit të parë të studimeve në gjuhën përkatëse, për të cilën do të thellojnë më tej studimet në mësuesi. Këto studime duhet të jenë ndjekur në një universitet të akredituar brenda, apo jashtë vendit dhe të njohur nga MAS. Krahas ngjashmërisë së degës në të cilën do të thellojnë studimet e nivelit të dytë, për të konkurruar në këtë cikël studentët duhet të përmbushin edhe kërkesën e notës mesatare të maturës sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.436 datë 03.06.2020 (programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë “Master” në fushën e mësuesisë, për vitin akademik 2020- 2021 dhe 2021- 2022 e në vijim). Përzgjedhja e fituesve për kuotat e përcaktuara do të kushtëzohet nga mesatarja e studimeve të ciklit të parë.
Po sipas vendimit të marrë nga Senati Akademik, për të aplikuar në programin Master i shkencave në “Gjuhë dhe Komunikim Ndërkulturor dhe Turistik”, kandidatët duhet të kenë përfunduar programin e ciklit të parë të studimeve në një universitet të akredituar brenda apo jashtë vendit, i cili duhet të jetë i njohur nga MAS, teksa duhet të plotësojnë edhe kushtet e parashikuara në Ligjin nr 80/2015, mbi njohjen e gjuhës së huaj. Edhe në këtë rast kriteri i pranimit është renditja sipas notës mesatare.
Për të aplikuar në degën Master i shkencave në “Përkthim teknik-letrar dhe interpretim” kandidatët duhet të kenë përfunduar programin e ciklit të parë të studimeve në një universitet të akredituar brenda apo jashtë vendit të njohur nga MAS, si dhe të plotësojnë kushtet për njohjen e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht dhe spanjisht sipas testeve ndërkombëtare të licencuara dhe të njohura nga dikasteri i Arsimit në vendin tonë. Përzgjedhja e fituesve do të bëhet nëpërmjet mesatares së studimeve.
Në programin Master profesional në “Përkthim” me profil përkthyes kandidatët duhet të kenë përfunduar programin e ciklit të parë të studimeve në një universitet të akredituar brenda apo jashtë vendit dhe të njohur nga MAS, si dhe të plotësojnë kushtet e parashikuara në ligjin e arsimit të lartë mbi detyrimet e njohjes së gjuhës së huaj. Për këto kuota bëhet e ditur se kandidatët i nënshtrohen provimeve seleksionuese me shkrim dhe me gojë.
Kreditet
Ligji i Arsimit të Lartë përcakton se programet e studimit të ciklit të dytë në “Master i shkencave” i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor”, me njohuri të thelluara shkencore teorike dhe praktike në drejtimin përkatës. Ky program mund të realizohet me 120 kredite me kohëzgjatje normale jo më pak se dy vite akademike. Këtu përfshihen 30-40 kredite për një projekt kërkimor, nën udhëheqje të kualifikuar, i cili përfundon me diplomë (mikrotezë). Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer. Ndërsa në programet e studimit “Master profesional” u ofrojnë të diplomuarve me një diplomë të ciklit të parë njohuri me karakter praktik profesional në drejtimin përkatës. Realizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike, përkatësisht. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e fakultetit për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master Profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
Kuotat e pranimit për studimet “Master” në degët e gjuhëve të huaja:
- Master i shkencave në “Gjuhë dhe Komunikim Ndërkulturor dhe Turistik” 150 kuota
- Master i shkencave “Përkthim Teknik-Letrar dhe Interpretim” 165 kuota
- Master i shkencave “Mësuesi në gjuhën angleze për arsimin e mesëm të lartë” 130 kuota
- Master i shkencave “Mësuesi në gjuhë italiane për arsimin e mesëm të lartë” 75 kuota
- Master i shkencave “Mësuesi në gjuhë frënge për arsimin e mesëm të lartë” 40 kuota
- Master i shkencave “Mësuesi në gjuhë gjermane për arsimin e mesëm të lartë” 50 kuota
- Master i shkencave “Mësuesi në gjuhë turke për arsimin e mesëm të lartë” 25 kuota
- Master i shkencave “Mësuesi në gjuhë greke për arsimin e mesëm të lartë” 20 kuota
- Master profesional “Përkthim me profilin përkthyes” 40 kuota
