Real Madrid fiton trofeun e parë për këtë sezon, atë të Kupës së Mbretit, pasi në finalen e Mestallas e ka mposhtur Barcelonën me rezultat 2-1. Mbretërit e filluan në mënyrë të frikshme takimin me dy raste të njëpasnjëshme të Bale, goditjet e të cilit përfunduan pranë portës. Dhe shumë shpejtë erdhi goli i epërsisë. Pas një kundërsulmi të mrekullueshëm të Mbretërve, Isco pasoi te Bale, ky te Benzema, i cili asistoi te Angel Di Maria dhe argjentinasi e mposhti Pinton (11’). Me kalimin e minutave, Blaugranët filluan ta imponojnë lojën e tyre dhe të krijonin presion të vazhdueshëm kundrejt mbrojtjes kryeqytetase. Përmendim rastet e Neymar dhe Alba. Ndërkohë që loja e Realit u fokusua kryesisht në kundërsulme që ishin gjithmonë të rrezikshme. Pas një rasti tjetër të humbur nga Benzema, erdhi goli i barazimit. Pas një harkimi nga këndi të Xavit, Marc Bartra kërceu më lartë për të shënuar (68’). Katalunasit vazhduan me stilin e tyre të dominimit në fushë dhe të organizimit të rasteve, ndërkaq Los Merengues prisnin shansin për të ndëshkuar me kundërsulme. Gareth Bale mori topin nga gjysma e fushës shkoi në sulm dhe realizoi golin e tij të merituar pas gjithë atyre kërcënimeve që bëri këtë mbrëmje (85’). Neymar pati një rast të shkëlqyer që ta dërgonte ndeshjen në vazhdime, por nuk ia doli të shënojë. Real Madridi është në garë edhe për dy trofe të tjera – atë të La Ligas (tri pikë prapa Atletico Madridit) dhe të Ligës së Kampionëve (në gjysmëfinale kundër Bayern Munichut). Ndërkaq, Barcelona lufton vetëm për titullin e Spanjës, ndërsa gjendet katër pikë parapa liderit.