Skënderbeu bën detyrën, mposht 2-0 Sopotin në sfidën e kthimit të raundit të dytë të Kupës së Shqipërisë dhe kualifikohet në fazën çerekfinale të këtij kompeticioni. Në Korçë skuadra e Mirel Josës e pati të thjeshtë përballë ekipit nga Librazhdi. Me ndeshjen e parë që kishte përfunduar në barazim 1-1, Skënderbeu avancon kështu më tej me rezultat të përgjithshëm 3-1.
Dy gola, nga një për çdo pjesë nga Salihi dhe Progni, ishin të mjaftueshëm që Skënderbeu të siguronte biletën e çerekfinaleve, raund në të cilin do të sfidojë Vllazninë.
Në mungesë të titullarëve si Shehi, Lilaj e Latifi për shkak të impenjimeve të tyre me Kombëtaren e madhe dhe atë U-21, apo edhe Bernard Berisha i grumbulluar nga Kosova, trajneri Josa ishte i detyruar të bënte ndryshime në formacion ndaj Sopotit.
Skënderbeu e nisi lojën me kapitenin Shkëmbi në mesfushë dhe Prognin e Ademir që mbështesnin nga krahët sulmuesin e vetëm shkodranin Hamdi Salihi. Ky i fundit në minutën e 15-të arriti të zhbllokonte shifrat, duke i dhënë epërsinë korçarëve. Për të vendosur në kasafortë fitoren e Skënderbeut mendoi Gerhard Progni, i cili në minutën e 60-të realizoi edhe golin e avantazhit të dyfishtë për kampionët e Shqipërisë. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi më, me Skënderbeun që u kualifikua në çerekfinale ku do të gjejë përballë Vllazninë.
