Pas një viti, rikthehet ‘skenari grek’ ose i ashtuquajturi ‘Papandreu’, në fjalorin akuzues të Berishës; drejt së cilit po shkon qeveria, sipas tij. Eshtë e kotë të merresh me qëllimin e denoncimit, nëse është paralajmërues apo dëshirues. Ajo që vlen në këtë rast, është vetëm kujtesa për një precedent të ngjashëm aty nga viti `91, që vitet e mëpasme, PD-ja e shndërroi në kredo të luftës politike: “Kemi dhe 6 ditë bukë”, thënë nga Ylli Bufi, kryeministër i qeverisë së stabilitetit atë kohë. Prej saj, një mori njerëzish në Fushë-Arrës u dyndën në panik drejt ca depove, të cilat zunë përposh disa syresh që lanë jetën aty. Vitet që pasuan, në kohë fushatash ajo deklaratë u punua fort në montazh, ku servirej me riprodhim në seri, pa u kuptuar kurrë se ku desh të dilte: Si Bufi që e tha e si PD-ja që e denonconte. Tashmë, kemi Berishën që prej një viti ka zënë vendin e Bufit, ku ndryshe nga ky i fundit, është krejt i qartë në arsyet përse e thotë: Vlon nga përbrenda për të patur dhe 6 ditë bukë, plus dhe ca viktima, nëse është e mundur.
