Kur bisedon dhe lexon Moikom Zeqon

Leda Hysa

  ENVER KUSHI

 PËRTEJ NGJYRAVE TË NJË BISEDE

Shkrimin  e Moikom Zeqos për Pashko Gjeçin, botuar në gazetën “Dita” më 17 korrik të këtij viti, e lexova menjëherë, siç kam lexuar të gjitha shkrimet e tij publikuar në këtë të përditshme. E mora në telefon dhe e urova. Shkrimi ishte shumë i bukur dhe bën mirë që e kujton këtë personalitet, që në kohën tonë të tejngopur me politikë, duket i harruar. E kam patur mik, tha Moikomi. Njeri shumë i mirë dhe i heshtur. Është intervista e fundit, që i mora Pashko Gjeçit para vdekjes. Kur do të vish të marrësh disa librat e mia, shtoi pastaj. I thashë se do të vija të nesërmen nga ora tetë. Ose në tetë e gjysëm, tha ai. Më mirë në orën tetë, thashë. Takohemi në lokalin pranë shtëpisë time, tha Moikomi.

Dola më herët nga shtëpia. Mëngjesi i të enjtes i 18 korrikut ishte i bukur. Pas shirave të ditës së pardjeshme ajri në Tiranë është më i pastër dhe mali i Dajtit, sa mund të duket në këtë pjesë të qytetit, ndjehet sikur është zhvendosur më pranë tij. . . Ora ishte shtatë e pesëdhjetë, kur Moikomi më mori prap në telefon dhe kur unë i thashë se isha në urbanin e Unazës, tha se po zbriste. Hymë në të njejtën kohë në lokal dhe u ulëm në tavolinën e parë, nga ku dukeshin brigjet e Lanës, rrepet e harlisur dhe rruga e tejmbushur me makina. E pyes  për shëndetin. Mbahem, tha ai. Imuniteti im ka rënë në zero. Kam edhe një kollë të bezdisur. . . Vështroj portretin e tij. Mjekra jo shumë e gjatë. Sytë e butë me vështrim ngulmues. Balli i lartë. Duket sikur përballë meje nuk kam  Tovin, siç i thërrisnim dhe që e kam njohur që në moshën 18 vjeçare, kur nisëm studimet në degën gjuhë-letërsi të Universitetit të Tiranës dhe për katër vite ishim në një dhomë bashkë me Shefki Karadakun, Tomorr Domin e ndjerë, Niko Kacalidhën, poetin që vinte nga minoriteti grek. Moikom Zeqo tashmë është erudit i pashembullt, poet dhe prozator sa i veçantë aq edhe befasues, mendimtar i pazakontë, krijues i veçantë i letrave shqipe, veprat e të cilit janë një bibliotekë e tërë. . . Ai nxjerr një nga një librat, që pasi shkruan dedikasën, m’i vë para. Lexoj titujt e librave, ballinat e të cilave kanë pikturat e tij, që gjithashtu janë sa moderne, aq edhe të çuditshme. “ Emrat e zotit”(tregime),  “Eunukët ëngjëllorë” (tregime haluçinante), “Përjetësi me qira” (poezi), shkruar të gjitha në qytetin e tij të lindjes, Durrës, në vitet 1987-1991 dhe “Çfarë i thotë nata varkës së zbrazët?”, ku mblidhen poezi të Wayne Miller, të një prej poetëve më të mëdhenj bashkëkohor amerikan, shqipëruar nga Moikomi, si dhe shkrime “Si e botova në Amerikë poezinë e Moikom Zeqos, i të njejtit autor, por edhe shkrime të tjera mjaft vlerësuese për poetin tonë.

Moikomi rrufis ngadalë kafenë, ndërsa biseda vazhdon për letërsinë shqipe, atë botërore e veçmas të fqinjëve tanë. Ne jemi një popull i vogël, thotë ai. Me dramat tona në rrjedhat e historisë. Përmend disa emra të personaliteteve të letrave shqipe, ku dallon De Radën, Mjedën, Migjenin, Konicën, Nolin dhe pastaj Kadarenë, Agollin, Rreshpjen. . . Edhe grekët nuk janë ndonjë popull i madh, por kanë emra të mëdhenj si Elitis, Kavafis, për të cilin kam shkruar disa herë. Ricos, Kazanzaqis, shtova unë. Po. Po. Është kretan i madh. . . . Grekët kanë kaluar trauma të mëdha në historinë e tyre. Ata janë popull tragjik. Gjatë Luftës Civile janë vrarë mijëra e mirëra. Junta ushtarake persekutoi shkrimtarë dhe intelektualë të njohur, si Melina Merkuri, të cilën e kam takuar në Athinë . . .  Kazanzaqia krijoi Zorbën. Ai i thotë Shekspirit: “Ti ke Hamletin”. Apo Servantesit: “Ti ke Don Kishotin”. Unë kam “Zorbën”. A e di  ti Veri që në të gjitha libraritë e botës gjenë Markesin, Saramagon, Kavafis, Kazanzaqis, Danillo Kish, Andriç etj.etj. Pak ose aspak emrat e shkrimtarëve shqiptarë. Pastaj i kthehet Migjenit dhe reciton poezinë “ Parathënie e parathënieve” Po Konica? Është gjeni, thotë. . . Është përkthyer Kadareja në disa gjuhë . . . Të tjerët më pak. Befas përmend Oruellin. . . Të kujtohet kur ta dhashë romanin e tij botuar në Kosovë? Po. Po, them unë. E lexova brenda një nate dhe  u trondita. Ishte viti 1985, mos gaboj, shtoj unë. Dhe ishte e rrezikshme të të gjenin këto libra, thotë Moikomi. Biseda kalon te shkrimtarët mesatar. Nga ata, pra nga letersia mesatare, lindin shkrimtarët e mëdhenj, thotë ai. Mitrush Kuteli në prozën shqipe krijoi shkollën e tij. Ata që erdhën pas tij e imituan apo  ecën në ato gjurmë. I kujtoj pesë muajt e zborit ushtarak që bëmë në Shkodër, nga gushti deri në fund të dhjetorit të vitit 1971. Mbaj mend që në ato muaj shkoje dhe takoje Frederik Rreshpjen, them unë. Poet i madh Fredi, thotë Moikomi. I mbaj mend mirë ca blloqe të vegjël, shumë të vegjël, ku ti Moikom shkruaje poezi apo vargje të shkëputura shumë të çuditshme. I kam ato blloqe, thotë ai. Mendoj se në ato blloqe janë fillesat e një poezie tjetër, me një figuracion marramendës dhe metafora nga më befasueset, them unë. Atëhere, pra në kapanonet ushtarake në periferi të Shkodrës, dukej qartë prirja jote drejt universales ose imazheve surreale, shtoj.

Ke të drejtë, Veri, thotë Moikomi mendueshëm. Mbaj mend që kur i mbaroje, m’i jepje për t’i lexuar. Edhe tani e kam në sy kaligrafinë tënde, që ishte me alfabetin e shqipes, por mua më dukej si e shkrimeve të fillesës. . . Diçka pse jo Buzukjane ose të shkruara në shpellat mistike të maleve të Shqipërisë, shtoj unë.

Biseda me të mund të vazhdojë me orë të tëra, me të njejtin ritëm dhe here-herë pauza, për të rifilluar prap temat e tij të preferuara; poezinë, metaforat, prozën, eseistikën, filozofinë. Më pyet nëse  e kam lexuar një nga librat e poetit të madh grek Jorgos Seferis me ese. I them që jo vetëm e kam lexuar, por edhe nënvizuar shumë nga thëniet e tij të mënçura. Ne në Shqipëri nuk kemi akoma një libër ose ese të këtij niveli, thotë ai. . . Pastaj hesht dhe më duket sikur vështron përtej të sotmes, në ca kohëra të ardhme, me qiej të tjerë dhe një botë tjetër akoma më të sofistikuar ose atëhere kur “ lis jeta kish ndërruar” i De  Radës së madh, do të ishte me hije të tjera, ndoshta më të zbehta se hijet e kohës kur jetojmë.

Heshtja e Moikomit nuk vazhdoi gjatë. Ai nisi të flasë për njerëzit që largohen nga kjo botë dhe vetminë e varreve ose vetminë e vetmisë së varreve. Unë dhe vëllezërit e mi shkojmë një herë në vit te varri i mamasë në Durrës, thotë. Unë ndjej në zërin e tij paksa ndryshe si më parë, hijet e kohërave që do të vinë, atëhere kur ne do të kemi shkuar, si shumë të tjerë, në botën e përjetshme të qetësisë, larg maktheve të kohës.

Po tek ne kush do të vij,  pra kush do të vi në varret tanë, kur të mos jemi në këtë jetë, pyet befas ai. Është një pyetje që më tronditi. Unë hesht. Filxhanët tanë të kafesë janë bosh. Bosh më duket lokali. Edhe rruga ku kalojnë pa pushim makina, më duket bosh. Edhe brigjet e Lanes më duken pa drurët e harlisur të rrepeve. Në vetminë time e kam menduar këtë që thotë Moikomi. Dua t’i them se edhe unë me vëllezërit e motrat e mia, kështu bëjmë. Çdo vit vemi te varret e prindërve tanë në Rrogozhinë, që janë në një kodër të bukur, nga ku duket lumi Shkumbin dhe në horizont, larg, shumë larg, duket deti . . .

Unë, vazhdon ai, me vajzat dhe djalin  në telefon flas më shumë anglisht sesa shqip. Ata nuk do të kthehen më në Shqipëri, shton pastaj Moikomi. Më kupton Veri? Nuk do të kthehen më. Vështrimi dhe e folura e tij janë ndryshe. Më duket sikur dëgjoj ca këmbana të vogla, jehona e të cilave vjen në fillim e  ngadaltë nga larg, për të gjëmuar më pas, si thirrje alarmi për një botë  dhe njeriun e saj, që gjithmonë e më shumë po shkojnë drejt vetmisë së madhe . . . Apo do t’i mbulojnë barërat e pashkulura? Hë, si thua ti Veri, pyet ai. Ç’t’i them? Unë hesht dhe në heshtje “malit që s’bzanë dua ti bije”. Jo malit të Migjenit, por malit kohë them me vete, ndërsa ndahem nga miku im, duke i uruar shëndet dhe energji të tjera krijuese njeriut, që nuk i kanë munguar dhe as do t’i mungojnë asnjëherë këto energji.

 POEZIA DHE TREGIMET HALUÇINANTE

I lexova me vëmendje librat që më dhuroi Moikomi. Ditë dhe javë të tëra, pas bisedës  së datës 18 korrik, u zhyta në botën ose më mirë në kozmosin krijues të tij. Moikom Zeqo, “ky ëndërrimtar surealist”, siç e ka përcaktuar mrekullisht bukur poezinë e tij, poeti, përkthyesi dhe botuesi i Moikomit, amerikani Wayne Miller, është një “labirint marramendës i metaforës”. Është vështirë të ecësh në xhunglën metaforike të poezisë së Moikom Zeqos. Në këtë rrafsh, pra në atë metaforik, kjo xhungël fillimisht të huton dhe të duket sikur jeton fillimet e botës, atëhere kur ajo ngjizet nga kaosi dhe të shoqërojnë përshtjellimet, që kanë shoqëruar këtë botë, dalë nga kaosi apo njerezimin nga fillesa deri në ditët tona globale e të turbullta. Poezia e Moikom Zeqos, e ngjizur me këtë “protokaos”, pra fillimkaos, në strukturën e saj, ngërthen imazhe të jashtëzakonshme që të habisin, hutojnë dhe lexuesi e ndjen veten apo rrek një botë poetike metaforike verbuese. Do mjaftonte t’u sillja lexuesve këto katër vargje, mes qindra të tjerave të vëllimit “ Përjetësi me qira”, për të ilustruar atë që nënvizova më lart:

Zogj të mëdhenj,

Midis Botës së poshtme

Dhe Botës së Sipërme.

Më mbartin mua.

Këto vargje dhe në tërësi poezia e Moikim Zeqos, më bënë t’i referohem një emri të njohur,s iç është studiuesja Iren Melikof, që ka shkruar një libër shumë të mirë të titulluar “ Pir Haxhi Bektash Veli”. Në këtë libër, mes të tjerash, ajo i kushton një vëmendje të veçantë shamanizmit, që sipas saj : “ Është një lloj drejtimi fetar i bazuar në besimin me ndërmjetës, midis njerëzve dhe frymëve. . . Shamani kishte fuqinë të komunikonte me rajonet e sipërme qiellore dhe rajonet e poshtme, në saj të një rrezeje që lidhte boshtin e botës me tre katet e universit trepalësh . . . Shamanët mitikë mund të ngjallin të vdekurit ose t’i kërkonin Zotit-diell të dërgonte shpirtin e një të sapolinduri, që ai e kapte në formën e zogut dhe e vinte në gjirin e nënës së tij . . . “

Në udhëtimet shamante, fluturimi magjik luan një rol të rëndësishëm, ashtu si dhe shndërrimi në zog, zbritjes drejt botës së përtejshme etj.etj.

Moikom Zeqo me poezinë e tij, është shamani mitik, me aftësi gati-gati mistike e magjike të metaforizimit, duke “ tejkaluar kufijtë e kohës”. Poezia e Zeqos i ngjet fluturimeve magjike të shamanëve nëpër qiej, duke qenë në gjendje hipnoze dhe dalldi krijuese të pazakontë.

Edhe proza që shkruan Moikom Zeqo është e pazakontë. Akademiku Ali Aliu është ndoshta nga të rrallët studiues, që është marrë seriozisht me të dhe vlerësimet e mia për prozën e shkurtër të Zeqos, ose “tregimet huluçinante” të tij, janë të zbehta, krahasuar me ato të akademikut të nderuar. Gjatë ditëve që lexoja këto tregime përtej të çuditshmes, here pas here e merrja në telefon Moikomin jo vetëm për t’i thënë mendimet e mia, por edhe për të pushuar pak ose më mirë për t’u qetësuar nga “goditjet” e dallgëzimet, që vinin prej atyre rrëfimeve. . . Një herë i flisja  pas leximit të “Eunukët qiellorë” apo “Dinozauri” dhe “Labirinti”, “Fantazma e Helenës”. Herën tjetër për “Universi  së prapthi”, “ Fluturimi magjik”, “Mbretëresha Teuta”, “Sozia” etj. etj.  Imagjinata e Zeqos në këto rrëfenja e në të tjera është përtej të gjithë kohërave dhe hapësirave.

“ Bredhja e tillë e imagjinatës së Moikom Zeqos, shkruan akademiku Ali Aliu, për të shtruar edhe pyetje e për të zhbiruar enigmave dhe mistereve pash më pash hapësirës dhe kohës, është rrëfim i pakëputur, i palimituar as si fillim, as si mbarim. Nuk të shqitet për asnjë çast ndiesia, se në krahët e kësaj imagjinate, ke bindjen se çdo gjë në këtë botë është mister, përkatësisht çdo gjë e qartë kristalisht”.

Moikom Zeqo është i vetmi në letrat shqipe që shkruan këtë lloj proze dhe  jam i bindur që përkthimi i tyre në anglisht ose në gjuhë të tjera, do të befasonin lexuesin e huaj, siç ndodhi me botimin e poezive të tij në ShBA.

 V E G I M E

Kapërceva portën e madhe të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Ora kishte kaluar nëntë dhe dita ishte  enjte e datës 18 korrik 2019. Këtu dita është tjetër ditë, thashë me vete, gati me zë, një nga vargjet e Naim Frashërit, busti i të cilit është ngritur para Godinës Qëndrore të Kryegjyshatës Botërore. Edhe drita tjetër dritë, shtova. Ecja gati-gati si i përhumbur, duke mbajtur në duar librat që më kishte dhuruar Moikom Zeqo. Biseda me të më kishte mbetur në mëndje. . .  Më kishin mbetur në mëndje fjalët e mënçura. Gjestikulacioni, vështrimi tërë dritë, energjia e mbi të gjitha forca për të mposhtur sëmundjen. Era e lehtë tundte qiparisat dhe qetësia këtu është ndryshe nga kuptimi që ka kjo fjalë diku tjetër. . . Moikomi ka hyrë dhe dalë shumë e shumë herë në këtë vend, ka folur dhe biseduar me Dede Reshat Bardhin, Baba Mondin etj.etj. Ai ka shkruar disa libra të rrallë për mistikën bektashiane si “ Princërit e mistikës”, “Syri i tretë”.

Hap derën e Muzeut të Bektashizmit, ku punoj që nga ngritja e tij e deri më sot dhe nuk është e rastit që më vinë ndërmend vargjet mistike të Baba Tahir Hamadanit, poet i shek.X:

Një zemër të brishtë si qelqi, unë kam,

Nëse psherëtij, kam frikë se botës i vë zjarr,

Nuk është çudi që lotët e mi të jenë si gjaku,

Si një pemë me rrënjë të zhytura në gjak unë jam.

Ç’janë këto vargje? Nga ç’hapësira qiellore vinë? Cilës kohë i flasin? Këtu përzihen të gjithë zërat e mistikës dhe mes tyre edhe ai i  Moikom Zeqos

                                 Tiranë, gusht 2019 (ose edhe 2119)

 

 

 

Share This Article
3 Comments
  • Të falenderoj z. Kushi. Moikomi është jo vetëm një dijetar, një poet i madh, një shkrimtar i madh, por mbi të gjitha Moikom Zeqo është një njeri i madh. Kur takon Moikomin bindesh që e keqja e kësaj bote nuk e ka mundur akoma të mirën.
    Me shumë respekt,
    Margarita Syziu
    Toronto, Kanada

  • Sa mire qe I kushtohet vemendje disa figurave te rangut elitar si Moikomi. Do ju rekomandoja ju te Dita-s te benit nje reportazh sado te shkurter nga dhoma nr 10 ne repartin e hematologjise ne QSUT ku ndodhet I shtruar prej ditesh I madhi Moikom. Se mbase do kujtohen edhe ca te tjere qe te pakten ne keto dite to sherbejne ashtu si e meriton nje njeri I kalibrit te tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *