I nderuar lexues! Sipas një mbishkrimi të vonë mbi portën e hyrjes, xhamia e Mirahorit në Korçë daton në vitet 1494-1504 dhe është ndërtuar nga Iljaz Bej Mirahori. Xhamia është ngritur mbi themelet e kishës së vjetër të Shën e Premtes. Së bashku me një numër ndërtimesh përreth saj si imareti, banja, furra etj., xhamia e Mirahorit formonte në mesjetë një qendër urbane pranë tregut të qytetit. Përbëhet nga salla e lutjeve me përmasa të mëdha, e mbuluar me kupolë mbi tambur, e cila paraprihet nga hajati i hapur nga një arkadë me harqe të mprehta mbi mbështetje masive, i mbuluar me tri kupola të vogla. Në skajin veriperëndimor të sallës ngrihej minareja.
