I nderuar lexues! Sipas mbishkrimit në portalin e brendshëm, xhamia e Tiranës, e njohur ndryshe edhe me emrin xhamia e Haxhi Ethem Beut, ka nisur të ndërtohet më 1794 dhe përfundoi më 1823 me gjithë pikturat. Menjëherë pas ndërtimit fare pranë saj u ngrit edhe Kulla e Sahatit të qytetit. Xhamia me sallën e lutjes të mbuluar me kupolë plumbi dhe me portikun e hapur në formë L-je, të mbuluar me çati të drunjtë e tjegulla vendi, paraqet një rast të kristalizuar të traditës shqiptare në ndërtimin e xhamive. Xhamia e Tiranës është gjithashtu një dëshmi historike e zhvillimit ekonomik e shoqëror që e karakterizon Tiranën gjatë shek.XVIII dhe pjesës së parë të shek.XIX. Shquhet për proporcionet e harmonizuara midis sallës së faltores, portikut dhe minaresë, për hajatin e gjerë, për minaren elegante, strehët e gjera të çatisë etj.
