Natyrisht që DITA është vetëm një gazetë. Sado me reputacion dhe e kërkuar në treg, nuk mund të zëvendësojë institucionet apo zyrat ankimore për problemet që kemi e që nuk mbarojnë kurrë. Ama duhet falënderuar sinqerisht që “denjon” të përcjellë zërat e “kastës së ulët” që kanë diçka për të thënë.
Është e vetmja që e jep këtë mundësi pasi të tjerat kërkojnë “akademizma” e mendje të “ndritura”. E meqë ra fjala tek “iluminizmi” shqiptar, po jap vetëm dy shembuj. Të dy në fjalimet plot intonacione e oratorizëm në parlament e mos thuaj asgjë të senatorëve tanë. I pari është një ish-ministër Mbrojtje. Plot “pathos” e revoltë shpirtërore foli për etër e bij ku ata të parët, etërit, ishin zhytur në krime pasi kishin vrare, aty ai përmendi disa shifra “të sakta”, klerikë të të gjithë besimeve. Asnjë nga këto shifra nuk e kalonte 30-n, aq sa zotëria vrau me dorën e vet në Gërdec.
A nuk duhen dëgjuar, të paktën, me by… këta lloj predikatorësh bastardë? A nuk duhet urryer vetja që e sheh këtë surrat në monitor? I dyti ishte më fiktiv e analitik në problemet që shtroi. OSBE-ja e paska informuar zotërinë se, por aty “gaboi” pak duke ngatërruar vitin, se Edi Rama paska një pasuri të padeklaruar prej, në daçi mos besoni, 200 milion eurosh. Meqë është një personazh i “sprovuar” për ndershmëri qysh kur ishte në kokë të KQZ-së, nuk hezitova më për të besuar “verbërisht”.
Aq më tepër që edhe punën e drogës e njihte me themel. Duke e dëgjuar me sa kompetencë fliste për efektet e saj, larg qoftë, të shkonte mendja se mos vallë e kishin “detyruar” ta provonte. Nuk them për alkoolin, pasi duhet ta përdorë për efekte studimore në sasi të “vogla”. Të vjen keq që e mundojnë kaq shumë veten duke sakrifikuar, por nuk janë ata “fajtorë” për këto “vuajtje”. Ne e vetëm ne duhet të paguajmë, pasi i “ngarkuam” me një barrë të tillë sa që shumë kafshë ngarkese do të kishin hequr dorë. E më duket se po e paguajmë si “burrat”. Profeti
