Aktori Astrit Çerma: “Para viteve ’90 ishin të paaftët e përgjegjshëm që drejtonin, sot janë të paaftët e papërgjegjshëm”
Shumë herë përmenden dhe vlerësohen emrat e regjisorëve, si: Lec Shllaku, Tomorr Shishmani, Spiro Duni, Adonis Filipi, po kështu të aktorëve Robert Ndrenika, Atrit Çerma, Kastriot Çaushi, Zamira Begolli, Demir Hyskja, Shane Shllaku etj, të cilët i kanë dhënë shumë teatrit të Elbasanit. Elbasanasit do të kujtojnë gjithmonë aktorin e njohur Astrit Çerma, i cili i ka qëndruar pranë teatrit “Skampa” në ditë të vështira. Atëherë kur arti mori një goditje të rëndë në fillim të viteve ’90, ai diti ta organizojë, ta mbajë, të punojë në teatër të shkruajë, të vërë në skenë edhe si projektues, edhe si aktorë e si regjisor. Me “Zonja nga Barcelona”, po kështu edhe komedinë brilante “Qytetrrethimi”, e cila pati një sukses të jashtëzakonshëm. Astriti tashmë 63 vjeç me një gamë të madhe rolesh dhe një jetë në skenë flet nga Amerika mbi teatrin dje dhe sot, sfidat dhe problemet, vështirësitë që ka kaluar e kalon. Larg teatrit të Elbasanit, por me shumë kujtime dhe dashuri, ai shkruan mbi sfidat që i është dashur të kalojë. Në këtë 50-vjetor të teatrit profesionist “Skampa”, aktori i mirënjohur shqiptar flet nëpërmjet një interviste për gazetën “Dita”.
Si e nisët rrugën e artit?
Unë kam vazhduar institutin. Por them se një dorë më është dhënë nga i madhi Demir Hyskja. Ndoshta ai nuk e mban mend, por unë kujtoj një ditë kur vinim me disa shokë nga Kinostudio përpara teatrit dhe ata seç kërkonin të zgjidhnin. Atëherë Demiri tha: “Merrni çunat e rinj, ja ku janë!”. Në atë kohë, fjala e tij ishte me peshë. Në teatrin e Elbasanit, Demiri do të mbetet më i madhi. Më vjen shumë mirë, sepse 50-vjetori është i teatrit, por ka edhe përvjetor të artistëve të mëdhenj. Më vjen keq që 70-vjetori i Demirit ka kaluar pa asnjë aktivitet. Më vjen shumë keq. Një shprehje që e kam dëgjuar: “Të na rrojë Manastiri se Kallogjerë gjen sa të duash”. Jo, Kallogjerët duan një jetë të tërë të krijohen, me shumë mundim, prandaj duhen ruajtur, duhen respektuar për t’i mbajtur e për shfrytëzuar. Me Kallogjerë të mirë bën nga guvat deri tek kullat e forta.
Keni një rol me të cilin identifikoheni apo që ju ka mbetur në kujtesë?
Unë mendoj që një aktor gjatë gjithë jetës së tyre ka role që i vjedhin emrin. Ky rol mund t’i qëllojë në fillim të jetës vet, mund t’i qëllojë në mes, mund t’i qëllojë në fund. Ka aktorë të mirë sa të duash, por nuk i qëllon ndonjë rol që ia vjedh emrin. P.sh., Demirit i thërresin Bacë. Mua më thërrasin Shpëtim dhe sa herë që thërrasin Shpëtim, unë kthej kokën. Dashje pa dashje më ka mbetur ky emër.
Kur ka qenë periudha më e vështirë për teatrin?
Në shtator të vitit 1997 shkruajta komedinë “Qytet-rrethimi” dhe e vura në skenë në teatrin tonë të Elbasanit. Ishte një komedi për atë tragjedi që, në njëfarë mase, akoma e përjetonim. Në ato netë kur kishe frikë të nxirrje hundën përjashta. Çuditërisht, shfaqja s’kishte nevojë as për “reklamë”. Për çdo natë biletat shiteshin që në mëngjes. Dhe vetëm falënderime e falënderime nga publiku. Vrisja mendjen, përse e ndjekin kaq shumë? Komedia? Tema? Vënia në skenë? Loja e aktorëve?S ituatat, dialogjet dhe batutat komike? Këto po, por, ishte edhe diçka tjetër.
Një spektator ma thotë ashtu fluturimthi: “Qeshim me aktorët Astrit, por qeshim edhe veten, sepse këtu më pak edhe atje më shumë, ato situata të komedisë i kemi kaluar edhe ne… Qeshim edhe lehtësohemi nga “ai budallallëk” që kaluam, shplahemi, pastrohemi dhe çlodhemi shpirtërisht nga ajo marrëzi e frikshme që përjetuam”.
Preke publikun atje ku i dhemb, që të ndjejë. Në lindjen e demokracisë, çuditërisht, të paaftët u sulën kush e kush të bëhej nun (kumbar). I shihja dhe qeshja: “More, po këta pyka ku venë?! Nuk e kuptojnë se ardhja e demokracisë do t’u nxjerrë kallajin se ai komunizmi, socializmi, enverizmi ishte “shi-diell-bukë beu” për këta fakirë. Demokracia dhe paaftësia janë “hanë shan-hanë Bagdat” mirëpo u gabova. “Fakiri” paskam qenë unë e disa të tjerë si puna ime që nuk kuptuam se këto shushunja do t’ia pinin gjakun artit deri vdekje.
Çfarë është bërë për artin në këtë vite?
Thuhet, dhe jo vetëm thuhet, se diktatura investoi për artin e kulturën që të helmonte me ideologjinë e mbrapshtë te saj sidomos rininë. Dakord jam. Po ti moj zonja Demokraci ç’bëre dhe ç’bën? Ku investon ti? Çfare investon ti? Për kë investon ti? Historia e artit na rrëfen se, në fund të fundit, arti është edukim. Çfarë edukon është tjetër gjë. Hidhini një sy historisë së tij. Edhe ai, i ashtuquajturi “art për art” ka shtratin e tij, ku një masë e tërë apo një pjesë e vogël e publikut ka shtrirë hapin. Edukimin nga arti e ndajnë shushunjat e artit. Një artisti, publiku ia fal deri në njëfarë mase çfarë bën, si e bën dhe sa e bën, por nuk mund ta falë të mos e dijë pse e bën. Dhe kur s’di pse e bën, nuk e di as për kë e bën… Ç’të ndiejë publiku..?!
Kush është Astrit Çerma larg skenës së teatrit?
Ai që ka qenë. Tit Çerma. I lindur elbasanas, i shartuar cërrikas. Edhe “burimi”, edhe “rrjedha” nuk ma kanë ushqyer tjetërsimin në çfarëdo lloj pozicioni që jam vënë.
Pse ka humbur interesi për teatrin sot?
Ne tregojmë pak interes për filmin, teatrin, librin, sepse filmi, teatri, libri (e të tjera), nuk tregojnë interes për ne. Madje në shumë e shumë raste as kanë të bëjnë fare me ne. Ndërsa dramat, komeditë, tragjeditë, temat dhe stërtemat gëlojnë rreth e qark nesh, zotërinjtë krijues dhe ekzekutues marrin arratinë nëpër botë që t’i gjejnë. Na mbytën veprat e huaja, përkthimet, adoptimet. Jo më kot teatrot dhe regjisorët i janë sulur si të babëzitur “importit”, kan “arsyet” e veta.
Në fushën tonë të artit (edhe në të tjera fusha) po përsëritet një fenomen i dikurshëm: Pushteti i sotëm po bëhet më i rrezikshëm se sa ai i djeshmi. Të “paaftët e përgjegjshëm” të asaj kohe janë zëvendësuar dhe po zëvendësohen me “të paaftët e papërgjegjshëm” të kësaj kohe. Atëherë një organizatë bazë partie, duke u mbështetur në sloganet e saj idiote, shkarkonte dhe emëronte kuadro arti dhe kulture, kurse tani një funksionar, i zgjedhur apo i emëruar, me megalomaninë idiote të tij emëron dhe shkarkon servilë që nuk përtojnë t’i bëjnë fresk edhe hijes së tij. Ky fenomen po e kalb artin dhe kulturën duam apo s’duam ne.