(Baladë e trishtuar shkëputur nga libri i ri :”Shiko Hënën!.” i cili është në proces botimi)
Nuk them dot për jetën,
që është shumë e bukur,
kur dikë që dua,
s’e bëj dot të lumtur!
Jeta është e bukur,
gënjeshtër e vjetër,
kur s’je vetë i lumtur,
s’mund të bësh një tjetër!
Jeta është e bukur,
shpesh të gjithë e themi,
sepse vetëm jetën,
dhe gjë tjetër s’kemi!
S’kemi gjë veç jetës,
s’jemi Zot mbi frona,
sido që të jetë,
jeta është e jona!
Nuk kemi veç saj,
gjë më të vërtetë,
jeta e njeriut,
është njeriu vetë!
Njerëzit kur betohen,
gënjejnë vërtet,
se askënd nuk duan,
mbi jetën e vet!
Nuk është egoizëm,
mendjemadhësi,
nëse ti s’don veten,
nuk të do njeri!
Nëse këto fjalë,
ti i gdhend në mendje,
mund që të betohesh,
veç me jetën tënde!
Veç atë ke tënden,
në vapë e dëborë,
e është i të gjithëve,
Zoti me Kurorë!
Për punën e Zotit,
mbase flas dhe kot,
është i të gjithëve,
në vërtetë ka Zot!
Nëse ka një Zot,
që krijoi jetën,
ndryshon krejt formula,
për gjithë të vërtetën!
Erdhët nga Krijimi,
a Evolucioni?
Pa menduar shumë,
jetën e jetoni!
Jetën e jetoni,
dhe kur s’është e bukur,
dhe veç një që doni,
s’bëni dot të lumtur!
Porse lumturia,
s’na ka ngritur lak,
ka që lumturohen,
dhe me fare pak!
Po me ca të tjerë,
do mundohesh kot,
t’u falësh gjithë Botën,
s’i lumturon dot!
Çdo detaj e kemi,
brenda jetës sonë,
se dhe lumturia,është një emocion!
Është një emocion,
një ekstazë pa fre,
një rrymë pozitive,
që përcjellim ne!
Kur rrymë pozitive,
tek tjetri përçojmë,
dhe veten më shumë,
ne e lumturojmë!
Nuk zgjat përgjithmonë,
le të kesh talent,
herë pas here shfaqet,
vetëm një fragment!
Shfaqet herë pas here,
kudo nëpër Botë,
po asnjë s’ka pasur,
lumturi të plotë!
Nuk mund të mallkosh,
as veten-as Zotin,
se bashkëudhëtar,
ke në jetë dhe lotin!
Sytë e lotuar,
lumturitë i fikin,
na helmojnë jetën,
ata që na ikin!
A.Duka

Strofa e fundit e mrekullushme per nje zemer prej mishi.
Je i plote o Arben Duka. Poet lirik, politik dhe fillozof. Ndjen kenaqesi njeriu kur te lexon.