Traumat e fëmijërisë janë përcaktuese për atë çka bëhemi kur të rritemi. Teoria e famshme frojdiane gjen zbatim për të kushedisatën herë në rastin e Tina Renton, vajza e përdhunuar nga njerku që në moshën 6 vjeçare. Ky episod i përsëritur shumë herë në fëmijërinë e saj u bë shtysa dhe forca më e madhe e saj për ta ndjekur studimet e larta. Ajo u bë avokate dhe shumë vite më pas, kur ndoshta abuzuesi i saj kishte harruar çfarë kishte ndodhur, e vuri atë pas hekurave. “Daily Mail” tregon sot historinë e avokates Tina Renton, e cila u përdhunua nga njerku nga mosha 6 deri në 14 vjeç, kur ajo i tregoi nënës sekretin e tmerrshëm dhe nuk gjeti prej saj përkrahje.
Por do të duheshin edhe 17 vjet të tjera që për Tinën të bëhej drejtësi. Gjatë këtyre 17 vjetëve, Tina u përball me pasojat e traumës së fëmijërisë. Disa marrëdhënie të dhunshme njëra pas tjetrës dhe gjendjet depresive të herëpashershme. Por gjithçka ndryshoi me ardhjen në jetë të dy fëmijëve të saj.
“Për dy fëmijët e mi, doja një jetë më të mirë se ajo që kisha pasur unë. Kështu vendosa të shkollohem. Fillimisht nisa studimet në kriminologji, por më pas kalova në drejtësi, për të luftuar për tim bir, një fëmijë që vuante nga disleksia, arsyeja për të cilën donin ta përjashtonin nga shkolla. Ëndërroja të isha avokate që në fëmijëri, por mendoja se nuk isha aq e zgjuar sa duhej.
Jeta ime u kthye në një luftë të vërtetë. Rritja e fëmijëve dhe studimet për drejtësi u kthyen në prioritetin tim. Në moshën 34-vjeçare, më në fund ia dola. U diplomova në drejtësi.
Disa muaj më pas vendosa të hakmerrem. I thashë partnerit tim se do të kërkoja drejtësi për atë çka më kishin bërë kur isha ende fëmijë. Më në fund mund ta bëja. Njerku im duhej të paguante. Isha përpjekur për gjithë këto vite të jetoja një jetë normale dhe nuk ia kisha dalë, vetëm për shkak të tij.
Pas denoncimit të njerkut dhe dëshmisë së mamasë time, e cila tha se kisha shpikur gjithçka, lufta e vërtetë filloi. Në dimrin e 2010-s erdhi lajmi që kisha pritur gjithë jetën. David Moore do të përballej me 13 akuza për përdhunim dhe sulme seksuale. Mes dëshmitarëve ishin edhe mësuesja ime dhe shoqja e ngushtë, të cilave u kisha treguar gjithçka.
Teksa kthehesha në shtëpi atë ditë, mendoja me vete: Ç’do të ndodhë tani? Si e ka pritur këtë lajm ai që u shndërrua në makthin e fëmijërisë time? 13 akuza, nga dolën këto të tjerat”.
Shikoja nga xhami i makinës acarin përjashta. A ndihet i frikësuar ai tani? Shpresoj të jetë i tmerruar dhe të mos e zërë gjumi natën”, shkruan Tina në librin e saj autobiografik me titull “Nuk ke ku fshihesh”. / Përgatiti: Gazmira Sokoli