Letër e nënshkruar
Renato Shkulaku, maturant
Me fillimin e dimrit, nis edhe sfida e nxënësve ndaj të ftohtit. Në shumë shkolla publike mungojnë mjetet ngrohëse si kaldaja apo kondicionerë dhe nxënësit detyrohen t’i zhvillojnë orët e mësimit në të ftohtë. Por ka edhe nga ato shkolla, ku megjithëse ka kaldaja, ato nuk ndizen rregullisht, si në shkollën “Kolë Koçi” në Pogradec. Shumë fëmijë i sjellin mjetet ngrohëse nga shtëpitë e tyre. Ka edhe shkolla të cilat si mjet ngrohës përdorin sobën e drurit, por nxënësit duhet t’i gjejnë vetë drutë. Si rrugëzgjidhje, Ministria e Arsimit ka gjetur shkurtimin e orëve të mësimit. Kështu shumë nxënës ngelen mbrapa me mësime. Ka edhe nga ata të cilët me të drejtë nuk shkojnë në shkollë në ditët e ftohta sepse nuk munden. Një problem akoma edhe më shqetësues, sidomos në shumë zona rurale mbetet transportimi i nxënësve në kushte të vështira të motit. Këto janë probleme që duhen marrë seriozisht, po kur?
