Tifozëria shkodrane do të rikthehet në shkallët e stadiumit, duke i mbushur plot e përmajë ato, vetëm kur drejtuesit e klubit të futbollit “Vllaznia” të investojnë konkretisht në ndërtimin e një klubi modern serioz: nga shembujt shqiptarë mund të marrim Skënderbeun. Tifozëria shkodrane do të rikthehet në stadium, atëherë dhe vetëm kur ekipi i futbollit do të zhvillojë lojëra të pëlqyeshme, cilësore dhe rezultative.
Tifozëria shkodrane do të rikthehet në stadium, atëherë kur stadiumi i tyre, “Loro Boriçi”, të ketë kushte të përshtatshme për të ndjekur një ndeshje, sikundër tifozët europianë në stadiumet e tyre. Tifozëria shkodrane do të rikthehet në stadium, atëherë kur te ekipi i parë i “Vllaznisë” të ketë edhe lojtarë të “prodhimit vendas”, të ardhur nga ekipet zinxhirë dhe që trajtohen si të barabartë me lojtarët e tjerë, duke mos u ndier aspak inferiorë kundrejt tyre.
Tifozëria shkodrane do të rikthehet në stadium, atëherë kur ndeshjet të mos shiten, apo të mos lihen me qëllim. Tifozëria shkodrane do të rikthehet në stadium, atëherë kur ekipi të mos ketë në organikë apo të menaxhohet nga individë, të cilët në Shkodër kanë “damkën” e bastexhinjve dhe njerëzve të korruptuar deri në palcë, që kanë shitur dhe blerë vazhdimisht ndeshje, për llogari të interesave të tyre meskine. Tifozëria shkodrane do të rikthehet në stadium, atëherë kur në drejtim të klubit të futbollit “Vllaznia” do të vijnë jo vetëm investitorë serioz, por edhe njerëz të kulturuar, shembuj qytetarie, në mënyrë që në shkallët e stadiumit të rikthehet, pse jo edhe të rritet, numri i tifozëve femra.
Kur Vllaznia t’i plotësojë këto kushte, atëherë shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, asnjëherë, në asnjë moment, nuk do të kenë as 50, as 100, as 200 veta, por gjithnjë, ashtu siç i ka pasur hije dikur, sidomos në kohën e presidentit të ndjerë, Myftar Çela, kur biletat shiteshin me ditë përpara ndeshjes, plot e përplot. Kjo është Vllaznia e atyre që kanë lënë eshtrat e tyre në “Loro Boriçi”; kjo është Vllaznia e atyre që kanë mbrojtur me nder fanellën kuq e blu; kjo është Vllaznia e të gjithë atyre sportdashësve të kulturuar, të cilët duartrokitnin edhe kundërshtarin, kur ky i fundit zhvillonte lojëra të bukura; e mbi të gjitha, kjo është Vllaznia e Shkodrës dhe e qytetarisë shkodrane.
Opinion i nënshkruar: Redan Bushati