Kur do ndalojnë së na talluri?

anazapta

Në  Shqipërinë “e mrekullive” qeveritare , në Shqipërinë e “ bumit” ekonomik e që “ i ka bërë dredha krizës” , për atë që i ka sytë në vendin e vet e jo atje ku nuk duhet t’i ketë ( populli thotë në prapanicë) nuk mund të thuash më pak se  sa është kthyer në djepin e vërtetë ku përkundet mjerimi , ai mjerim i kohës dhe penës së Migjenit të madh , ai mjerim që atëkohë veremosi poetin e sot po veremos mijëra njerëz , mijëra fëmijë sapo hapin sytë për tu bërë pjesë e kësaj bote për dikë miqësore e për shumëkënd armiqësore deri në skaj.

 

Veremi i kohës zogolliane vazhdoi të shtohet në periudhën gati 50 vjeçare të diktaturës duke e kthyer këtë vend në një “ sanatorium gjigand të të veremosurish” .

 

E ndërsa në kohën e Migjenit , skicat e tij brilante gjenin dritën e botimit , në atë tjetrën duhet t’i thurnim lavde “ udhëheqjes largpamëse të partisë në Shipërinë fanar ndriçues” ashtu si dhe sot kur rrekemi t’i bashkohemi Evropës, asaj Evrope që na ka përplasur dyert në fytyrë e ne kryeneçë themi brenda vetes “ punë e madhe , ne ia kemi kaluar asaj “, në një farë mënyre si ajo puna e dhelprës që nuk mundtte të arrinte rrushtë.

E ndërsa ne sot, në vitin 2013  krizë nuk kemi , rritjen ekonomike e kemi më të madhe se shumë vende të Evropës e më gjërë, kur mirëqënia “ kullon nga yndyra” të duket vetja në ëndërr kur në çdo cep e rruge e rrugice shikon fëmijë gjithë zhul , me një këmbë a me një dorë, gra të të gjitha ngjyrave, pleq e deri dhe të rinj që shtrijnë duart e luten me refrenin migjenian “ Më fal një lek për bukë  zotni , të rrittë zoti kalamajtë”. Një refren që  vret zemrën e ndërgjegjen e atyre që e kanë.

 

E ndërsa i dëgjon nuk ke si të mos ndiesh neveri e përçmim për propagandën  qeveritare që  rreket të na mbushë mendjen se ne jemi vendi i lumturisë , jemi vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Botë, jemi vendi që na kanë lakmi të tjerët, ku dynden miliona turistë ( emigrantët të cilëve u kemi mohuar deri dhe’ të drejtën e votës, sapo kthehen në vatrat e tyre për të parë prindërit , menjëherë u ngjisim epitetin turistë, ata,  që vijnë për të bërë tregti , që të shesin e blejnë gjalp e gjizë, apo për  krushqi nga Maqedonia , natyrisht  i quajmë turistë, vëllezërit kosovarë që vijnë me bukë me vete (pasi çmimi i ushimeve është pesëfshuar)  për të kaluar një ditë në bregdetin shqiptar për t’u kthyer në shtëpi në darkë po turistë i shënojmë dhe i rishënojmë të nesërmen po qe se bëjnë dy ditë në këto troje) . Nuk ke si të mos ndiesh përçmim kur ,  udhëheqësit tanë “legjendarë”,  kudo që shkojnë ,me dieta nga taksat e këtij populi në mjerim ekstrem,  deklarojnë para kamerave se vendi i tyre ( që është dhe vendi ynë njëkohësisht) po lulëzon , ndërsa vendet e tjera  “ për gjynah të zotit” po vuajnë nga kriza e ne po vrasim mendjen se si t’i ndihmomë të ngratët, njëlloj si dikur kur mundoheshin të na mbushnin mendjen për vuajtjen e klasës punëtore në vendet kapitaliste e lulëzimin e jetës në Atdheun tonë, si atëherë kur imperializmi e revizionizmi na e kishin frikën , pasi ata na kishin në grykë të pushkës , por ne i kishim në grykë të topit.

 

Dikur propaganda edhe zinte vend , sot harrojnë pra udhëheqësit tanë të dashur që shqiptarët kanë parë botën, e dinë si jetojnë popujt e tjerë , dinë sa paguhen e sa janë çmimet kudo, sa është asistenca e sa është pensioni për secilën kategori dhe për ata që nuk kanë punuar asnjë ditë, dinë për shërbimet që ofron shteti për këdo, etj. A do ndalen këta pushtetarë që tallen me intelegjencën e këtij populli?

 

Letër e nënshkruar: Petrit Zili

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *