Kur gazetari, shkruan përtej gazetarisë

J L

NGA FATMIR MINGULI  

Shënime analitike për librin  “ Shqipëri të paça ligjet” të Pano Hallkos, botim  “Gent Grafik”, Tiranë 2020

 

                                                                               Gjithnjë kam preferuar më shumë mitologjinë,  

                                                        sesa historinë. Historia përbëhet nga të vërteta   

                                                  që bëhen të gënjeshtërta, ndërsa mitologjia përbëhet

                                            nga gënjeshtra që shndërrohen në të vërteta.

                                                                                    Jean Cocteau

Jo më kot e përmenda sentencën e francezit të guximshëm. Më shkon shumë për shtat ajo sentencë, që të hedh disa shënime analitike për shkrimet e studiuesit Pano Hallko.

Që në kopertinën e këtij libri të veçantë, gjejmë shprehjen latine të vendosur mbi statutet e qytetit të Shkodrës “Fatis cedo”- fatit i dorëzohem”.

Pra, Pano mbështetet në statutet serioze të asaj kohe dhe  në fund të fundit i dorëzohet fatit, ku rolin e fatit në librin e tij, e luan vetëm  e vërteta. Ai i dorëzohet të vërtetës. Për ata që nuk e kanë lexuar librin e ri të Pano Hallkos, do të shohin aty të vërtetën me sy hapur, ku autori nuk e anon shigjetën e peshores siç e përcakton dhe shkrimtari Shpendi Topollaj, nga asnjëra anë, por vetëm vertikales së të vërtetës.

Në librin e tij janë përmbledhur shkrimet e botuara në shtypin shqiptar nga viti 2003 deri në vitin 2020, gati dy dekada histori  publicistikë e mirëfilltë.

Duke lexuar këtë libër, mendja të shkon te një paralelizim me kinoditarët, që një kinostudio serioze, mund të prodhojë në përshkrimin e ngjarjeve në këtë Shqipëri të tranzicionit pa kufij.

Dhe kur kinostudio nuk merr frymë që prej tridhjetë vjetësh, ja tek i kemi dokumentarët. Në letrën e shkruar, në gazetat “ Gazeta shqiptare”, “ Koha jonë,”, “Ballkan”, “Panorama” “Ndryshe”, “Tirana observer”, “Shqip”, “Dita”,  si edhe në libra apo në revista të ndryshme.

Shkrimet më të shumta janë botuar në “Gazeta Shqiptare” çka tregon vlerat e këtij gazetari dhe studiuesi në vazhdimësi, pa ndërprerje gjer në ditë tona. Kjo është shumë e rëndësishme sepse disa nga gazetat që përmenda më sipër nuk botohen më, ndërsa Pano Hallko vazhdon të botojë…

Nëse nuk ka më kinoditarë, por ka “penxhere” televizive ku bëhet e pamundura që të ndriçohet portreti i moderatores/moderatorit, që drejton,  e që më pas çdo gjë zhduket. Zhduken analizat, lajmi, mjafton që portreti i moderatorit të mbetet në kujtesën e atyre që marrosen pas ekraneve plot ngjyra të televizorit.

Jo! Shkrimet e Pano Hallkos janë tjetër gjë, edhe pse  në dy faqe gazete  emri i tij është shkruar me të germa tëvogla, por titulli i shkrimit është shkruar me germa kapitale. Ky është tharmi i suksesit të një gazetari,  që priret nga altruizmi.

Sa bukur e përshkruan portretin e këtij intelektuali të sotëm shqiptar Erl Murati në parathënien e këtij libri: “Bujar, kokëfortë, autoironik elegant por mbi të gjitha,  mjeshtër i fjalës së vërtetë. Pano Hallko përkundet vit pas viti, mes gazetarit koherent dhe intelektualit që s’bën rehat, pa e parë Shqipërinë “të bërë”.”

Te ky konkluzion arrij dhe unë, në portretizimin e Pano Hallkos, i influencuar nga shkrimet e tij publicistike. Por është një portret që i rri ngushtë intelektualitetit të tij,  sepse do të shtoja dhe faktin tjetër që letërsia, shpirti i prozës poetike është zhytur thellë në çdo shkrim të Pano Hallkos.

Pos këtyre është dhe fakti se ky libër që po analizoj është një vademecum ekselent, jo vetëm për shkrimtarët, studiuesit dhe gazetarët, por në radhë të parë për politikanët.

Gjuha e përsosur shqipe, e shoqëruar me shprehje dhe fraza tipike të shqiptarëve, është çelësi  që i jepet lexuesit për të hyrë lirshëm në faqet e këtij libri. Duke i shpjeguar atij, se ato shkrime janë botuar kohë më parë, kur hekuri ishte ende i skuqur, për t’u rrahur. Por edhe sot, këto shkrime kanë vlerën e thënieve të plakut të moçëm, thënie të cilat nuk para i kundërshton njeri.

Çfarë temash trajton Pano Hallko në këta njëzet vjet në gazeta, libra, revista? Përgjigja do të ishte: -E për çfarë nuk shkruan?!

Përmes një ironie të stërhollë (veti e njerëzve të zgjuar), ai ngërthen brenda shkrimeve të tij ngjarje, personazhe, meditime, përshkrime, portrete dhe meditime psiko-analitike.

Janë këto pjesë që krijojnë një strukturë solide të librit dhe libri “ Shqipëri të paça ligjet”, e cila nuk është thjesht një përmbledhje artikujsh të botuar më parë.

Kështu kjo strukturë mund të ishte e ndarë me kapituj por do të prishej sensi i kronologjisë, që për mendimin tim ka më shumë vlera sesa po të ndahej në kapituj.

Artikuj të tillë si “Kombi, i munguari i madh i fushatës”, “ Ora e së vërtetës”.” Një jetë mbi pentagram”, “Geraldina e Shqipërisë, Ahmeti i kujt?”, “Heroizëm shoven me kockat tona”, e shumë të tjerë, janë shkrime analitikë shkruar në vitet 2005-2008 që të habisin me aktualitetin e tyre, edhe po t’i lexosh sot e kësaj dite.

Brenda kësaj strukture, edhe shkrimet që kalojnë kufijtë e Shqipërisë me vlera studimore siç janë shkrimet “Afganistani, siç nuk e njohim”, “100 vjetori i pavarësisë dhe çështja kombëtare”, kanë vlerat e leksioneve universitare, jo thjesht në aspektin poltik, por mbi të gjitha atë socio-psikologjik.

Si gjithmonë tharmi i shpirtit poetik është i pranishëm edhe në këto shkrime. Ky tharm shihet fare qartë në analizën filozofike mbi krijimtarinë e Moikom Zeqos. Nën titullin gjithëpërfshirës “Letërsi moikomiane…” duke trajtuar vlerat e mëdha të librit të Moikom Zeqos “Papagajtë e Nembrotit”(redaktor i të cilit ishte vetë Pano),  ai shpërthen fuqishëm  si një kritik letrar i thekur. Por dhe për artikullin e të madhit Moikom “Për një moral të ri dhe  politikë të re”,  Pano Hallko e sjell si perifrazim për librin  e Shaban Muratit “Çështja e paqenë e detit, intrigë diplomatike greke apo shqiptare”?

Pano Hallko është mjeshtër në krijimin e paraleleve mes veprave të intelektualëve të vërtetë shqiptarë.

Po kështu, analiza për Kristo Frashërin me titullin “Kristo Frashëri, sot, 90 vjeç” vlen për të njohur ashtu siç duhet jetën dhe veprën e historianit të madh, zëre se ke një enciklopedi përpara teje. Ai shkrim-portret-dy faqe gazete, nuk është thjesht analiza e një personaliteti të madh që patëm. Është një lloj tjetër reportazhi, thuajse i pa njohur në këtë formë. Më së pari aty realizohet një studim anatomo-morfologjiko-karakterial, por edhe social, i Akademikut më të madh që patëm. Përshkrimi i ballit të historianit tonë të madh, me theks te rrudhat e veçanta të tij, të le pa fjalë.

Dhe shpirti poetik i Pano Hallkos na jep këtë pasazh për karakterin e Kristo Frashërit: … “Ai është në një ndeshje të përorëshme, të përditshme, me një “bajloz” të madh , me më të madhin e më të tmerrshmin-të paktën për realitetet shqiptare e ato ballkanike, me “bajlozin” më të përfolur në këtë vend, me Historinë”.

Edhe për Shaban Muratin dhe veprat e tij, Pano Hallko ka bërë vrojtime dhe analiza  të fuqishme ku intersektohen gjykimi asnjanjës politik, gjërësia e dijeve, forca e thellimit në idetë e autorit dhe qetësia e komentimit të shembujve.

Pasi është marrë me këto figura, si dhe për të tjerë intelektualë të shquar shqiptarë nga fundi i këtij libri ndodhet dhe shkrimi me titullin e bukur “ Një pulë në  katër ditë, zoti kryeministër…”, i 13 Korrikut të vitit 2017. I organizuar me nëntitujt: “Populli i perëndive dhe perënditë pa popuj…”, “Karkalecat e arave dhe ata të ministrave…”. Pa hyrë fare në tekstin dhe nëntekstet e këtij shkrimi të çuditshëm dhe brilant, më vijnë në mendje pamfletet ironikë të Nonda Bulkës (Chri-Chri) në vitet `30-të të shekullit të kaluar.

Historia… përsëritet.

Në vitin 2005 Pano Hallko shkruante në gazetën e fuqishme të atyre viteve me pseudonimin Kreshnik Çika.

Librin e mbyll shkrimi me titull “Zia jonë më e gjatë”… Një in memorium, për më të ndritshmin mendimtar që patëm, Moikom Zeqon.

Në faqet e shtypit shqiptar, por edhe në libra të ndryshëm shumëvlerësh, nuk kam parë një ndërthurje të tillë, të elegjisë me analizën, të përshkrimit me vajtimin, të studimit shkencor me revoltën. Është një akuzë e madhe e pa rrëzueshme dot, ndër kohëra. Me adresë të përcaktuar qartë, te shteti i munguar, për të gjithë shqiptarët. Shtetin, i cili “ka hyrë në histori”, sepse…La Moikom Zeqon pa punë!!!

Për librin e Pano Hallkos “Shqipëri, të paça ligjet”, mund të flitet akoma më shumë, e jam i sigurt se studiues seriozë tanët, do ta kenë objekt të punës së tyre.

Subjektet e trajtuar në këtë libër janë të pafund, por nën okelion magjike të stilit të autorit, ato subjekte, ashtu të shumta e të gjitha, fokusohen aty te qëllimi i jetës së Pano Hallkos, për të qëndruar te vertikalja, e së vërtetës.

Ky libër me karakter enciklopedik, duke marrë statusin e Vademecumit, do të shohë edhe ndriçime të reja, me qëllim që të largohen mjegullnajat e moderatorëve dhe “analistëve”, mjegullnaja që i përhapin ata vetë, veshur me kostumin e të gjithëditurit.

 

Durrës 2 gusht 2021

 

Share This Article
1 Comment
  • Ka plot një vit që ky libër mbriti në tavolinën time, megjithë gjëndjen e krijuar nga “pushtimi” mbarëbotëror i natyrës dhe njerzëve, por kjo është temë tjetër që sot ka marrë përmasa humanizmi dhe çmëndurie të dukëshme. Pano Hallko vjen tek mua si gjithënjë, ashtu si është: një njeri i përgatitur për kohën, uritur për dije, por edhe një shtrues i mëndafshtë i çështjeve dhe probleme të shoqërisë, një kritik i rreptë pa mëdyshje dhe një përkëdhelës i ëmbël i personaliteteve të shkencës dhe kulturës shqiptare që shtron mendimet e tyre para neve, duke mos lënë as ato shtresa të njerzëve që janë bazamenti jetës me trashëgimmëninë e tyre filozofike kombtare e kulturore e që zënë një vënd të rëndësishëm edhe në librin “Shqipëri të paça ligjet”. E mora librin, por ky nuk lexohet si roman, sepse jeta në të është aq e larmishme sa, sa lexon diçka, kujton pjesë të jetës tënde, Por edhe parathënia e Erl Muratit plot elokuencë është në simbiozë me brendinë e librit. Mua më bëhet qejfi shumë që zoti Fatmir Minguli ka bërë këtë analizë plot kompetencë dhe njohje. Panua ka botuar në të njëjtën kohë edhe librin tjetër “GREQIA DHE SHQIPËRIA , siç nuk duhej të jenë” ku veç çështjeve të politikës dhe fqinjësisë, çdo shqiptar që ka shkuar dhe punuar në Greqi, gjen veten e tij. Panua ka afirmuar veten me shkrimet e tij si një qytetar bashkëjetues me hallet e të tjerëve i pa ndarë, si një shqiptar patriot që i dhimbset vendi dhe njerëzit dhe pena e tij ka trokitur në çdo vënd që të dëgjohen rënkimet dhe këngët që dhe shoqëria jonë të eci në rrugën e mbarë Europiane e përëndimore si gjithë vëndet e tjera të perparuara. I uroj suksese të mëtejshme dhe penë të mprehtë si gjithnjë e bojë të pa tharë, sepse libra të tillë, janë ushqim shpirtëror !
    Bashkim CANODEMAJ

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *