Kur gratë zgjedhin “luftën e shenjtë”

anazapta

Para fillimit të luftës ishin mësuese, studente, nëna midis mureve shtëpiake. Tani kanë vendosur të marrin armët, shpesh të rekrutuara nga grupet integraliste të rebvelëve sirianë. Por edhe regjimi stërvit batalione të tëra me femra, kryesisht për propagandë

Po të mos ishte vështrimi femëror që i tradhton, me fytyrat e fshehura nën shamitë e zeza, tunikat e ngushta me brezat e mbushura me plumba dhe kallashnikovët në duar, asgjë nuk do t’i dallonte nga muxhahedinët e tjerë. Janë gratë luftëtare siriane: batalione të tëra që luftojnë përkrah rebelëve kundër Asadit në zonat më të shkatërruara nga lufta civile: nga Alepoja në Homs deri në periferi të Damaskut. Kanë zgjedhur të përqafojnë kuranin dhe pushkën për të ndihmuar në front edhe pse aty vdesin fëmijët dhe bashkëshortët e tyre.

Videot e shpërndara nga rebelët i tregojnë ndërsa çmontojnë pushkët me sigurinë e një ushtari ekspert, të tjerat kryejnë një rol mbështetës logjistik: transportojnë armë, barna, kontrollojnë postbblloqet dhe gatuajnë për ushtarët. “Janë të paktën 5000 gra të përfshira në konflikt”, pohon Abdul Rahman, themeluesi i Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut.

Xhihadi në versionin femëror

“Kemi zgjedhur rrugën e dhunës nga nevoja”, tregon njëra prej tyre e intervistuar nga televizioni ‘Syria Tomorrow’. Batalioni i parë u formua në provincën Homs, si një reagim për masakrën në Houla, ku humbën jetën më shumë se 100 civilë, thuajse të gjitha gra dhe fëmijë.

Në 10 mars të këtij viti, gra të tjera shpallën në Facebook lindjen e brigadës “Summaya bin Khayyat”, ndërsa zgjodhën Youtube -in  për të kërcënuar jo vetëm ushtarët alavitë të Asadit por edhe të gjithë tradhtarët sipas tyre, nga hebrenjtë te komunistët.

Për t’u pranuar në brigada, ato duhet të jenë besimtare praktikuese dhe të mos kenë “reputacion të njollosur”. E megjithatë gratë hasin vështirësi të pranohen nga rebelët. Në shumë raste detyrohen t’iu nënshtrohen abuzimeve seksuale. Një sistem prostitucioni në front, deri në kufijtë e skllavërisë seksuale. Një militant që ka luftuar në Alepo tregoi për të përditshmen tuniziane “Assarih” për qindra të reja të rekrutuara nga Somalia dhe Tunisia, të transportuara në mënyrë klandestine në Siri. Ato detyrohen të kenë raporte me luftëtarët që sulmojnë trupat e Asadit për të nderuar “xhihadin enikah”, thënë ndryshe “martesën me atë që bën luftën e shenjtë”.

Lufta vetmitare e grave kurde

Më në Veri, gra të tjera janë përfshirë në konflikt. Janë gratë kurde, që luftojnë në beteja personale në fronte të ndryshme: me rebelët kundër Asadit, për forcat pro-regjimit kundër islamistëve, me milicitë separatiste, me pak fjalë kundër të gjithëve.

Ekziston një batalion i tërë i përbërë vetëm nga femra, i quajtur ‘Martire Rokan’ dhe që operon në provincën e Alepos, konfirmon Observatori për të Drejtat e Njeriut. Por, edhe brenda njësisë së mbrojtjes të popullit kurd, e cila bashkë punon me Partinë e Bashkimit Demokratik në Siri, rreth një e pesta e luftëtareve janë gra. Atyre nuk iu intereson shumë fati i Sirisë dhe shfrytëzojnë kaosin e luftës civile për të arritur pavarësinë.

“Luaneshat e Asadit”

Emri gjysmë metaforik fsheh natyrën e vërtetë të grupit ushtarak të kërkuar nga vetë presidenti sirian. Video zyrtare shfaqin luaneshat, ndërsa ushtrohen në prova ekstreme për të mbijetuar në kampet ushtrake, por në të vërtetë nuk i afrohen kurrë frontit, e shumta që bëjnë është të kontrollojnë postblloqet në rrugët më pak të rrezikshme të Damaskut. Një lëvizje imazhi për regjimin, i cili dëshiron të shfaqë fytyrën laike, tolerante dhe liberale për të marrë kështu mbështetjen e popullsisë të kërcënuar nga integralizmi islamik. “Është një investim mbi krenarinë kombëtare”, konfirmon një ushtar i Asadit për “Reuters”.

Militarizmi i shoqërisë po bëhet një modë: “Shumë shoqe kanë hyrë në grup, duket argëtuese… të gjitha duken të lumtura… ndoshta do të gjej një burrë”, bën shaka “luanesha” Nisreen, origjinare nga Homs dhe e intervistuar nga “Reuters”./ D.Gjuzi

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *