Filma të censuruar, aktorë të zëvendësuar dhe skenarë të ndryshuar: kjo është historia e patreguar më parë e zgjedhjes së Hollywood-it për të bashkëpunuar me Gjermaninë e Adolf Hitlerit. Libri shokues i Ben Uewand “The Collaboration: Hollywood’s Pact with Hitler” zbulon se si studio kinematografike amerikane iu nënshtruan dëshirave të nazistëve
Duke hulumtuar në arkivat e producentëve kinematografikë, historiani i ri me origjinë hebree, Ben Urwand, has fjalën gjermane “Zusammennarbeit” (kolaboracionizëm), që shpesh Berlini e përdorte për t’iu referuar bashkëpunimit me palën amerikane mbi filmat që silleshin në Gjermani.
Në vitin 1930 nazistët kishin vetëm 12 nga 107 deputetët e Reichstag-ut, por Joseph Goebbels i cili kishte marrë timonin e propagandës së partisë së Adolf Hitlerit, zgjodhi filmin “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” (bazuar në romanin që rrëfen historinë e një ushtari gjerman gjatë Luftës së Parë Botërore) për t’u hedhur në sulm kundër Hollywood-it. Nazistët blenë 300 bileta në një nga kinematë gjermane dhe kur u futën brenda hodhën thirrje kundër imazheve, që sipas tyre ofendonin ushtarët gjermanë të kthyer nga lufta. Spektakli u ndërpre dhe Goebbels u ngjit në skenë. Ndërkohë, nazistët në sallë hidhnin bombula me erë të rëndë dhe lironin minj në plate duke shkaktuar largimin masiv të publikut. Kjo ngjarje jo vetëm shkaktoi bujë të madhe, por bëri që 6 ditë më vonë komisioni i censurës ta hiqte filmin nga qarkullimi.
Carl Laemmle
Impakti mbi producentët e kompanisë “Universal Pictures” ishte aq i madh saqë presidenti i saj, Carl Laemmle, iu drejtua në vitin 1931 Ministrisë së Jashtme gjermane. Laemmle, hebre i lindur në Gjermani, druhej për tregun gjerman që deri në Luftën I Botërore kishte qenë i dyti në botë me një rëndësi jetësore për filmat amerikanë. Berlini imponoi modifikime drastike për filmin “Asgje e re nga fronti i Perëndimit”, duke kërkuar që ato të aplikoheshin në të gjitha kopjet e tij qarkulluese nëpër botë. Dhe Laemmle pranoi. Në vitin 1933, ai investoi burime të rëndësishme për të mundësuar arratisjen e 300 hebrejve nga Gjermania. Në një telegram të ministrit të Jashtëm gjerman lexohet: “Bashkëpunimi i “Universal”-it me Gjermaninë i detyrohet interesit të kësaj kompanie për tregun tonë”.
Georg Gyssling
Zëdhënësi i nazistëve në Los Angeles ishte Georg Gyssling, i futur në radhët e partisë së Hitlerit që në vitin 1931, arriti të gjunjëzojë edhe shtëpitë e filmit “Rko” e “Fox”. Kur në maj të vitit 1933 regjisori Herman Makiewics filloi të punonte mbi projektin “Qeni i tërbuar i Evropës” për të denoncuar antisemitizmin e Hitlerit, Gyssling arriti ta bllokojë duke e kërcënuar Shoqatën e Distributorëve se do të ndaloheshin të gjithë filmat amerikanë në territorin gjerman.
Në vitin 1936 në Gjermani mbeteshin vetëm tre producentë: ‘Mgm’, ‘Paramount’ dhe ‘20th Century Fox’ me vetëm 8 filma të pranuara nga censura. ‘Paramount’ zgjodhi si menaxher besnikun e nazistëve Paul Thiefes, ndërsa drejtuesi i ‘Mgm’, Frits Strengholt, u divorcua nga e shoqja hebree me kërkesë të Ministrisë së Propagandës. Gruaja fatkeqe u deportua dhe prej saj humbi çdo gjurmë.
11 filma dhuratë Gjermanisë
Censura vazhdonte të pretendonte ndryshimin e muzikës, autorëve dhe skenave me motivime që shkonin nga “ndikimet hebree” te “tonet anti-gjermane” aq sa më 1938-n “20th Century Fox” e pyeti sekretaren e Hitlerit se “cilave rregulla duhet t’u përmbaheshin”dhe përgjigja e saj ishte: “Fyhreri refuzon parimisht të shprehë opinione të kësaj natyre”.
Në shkurt të 1937-s, drejtuesi i ri i ‘Universal’-it, John Cheever Cowdin, fluturoi në Berlin për t’u shpjeguar nazistëve se “tani kjo kompani nuk ishte më hebraike dhe prandaj kërkonte të kthehej në tregun gjerman”. Në të njëjtin vit Gyssling arriti të bindë ‘Mgm’-në që të vinte dorë mbi “Tre shokët” për të shmangur denoncimin e antisemitizmit në Gjermaninë e viteve ’20. Bashkëpunimi me Hollywood-in ishte aq i madh sa “20th Century Fox” i dhuroi 11 filma si “kontribut lufte”, pas pushtimit gjerman të Polonisë.
«Zusammenarbeit» përfundoi në dhjetor të vitit 1941, pas sulmit që pësoi flota amerikane në Perl Harbour dhe SHBA-ja mori vendimin që të përfshihej në luftë kundër Boshtit Nazist./ D.Gjuzi