I nderuar lexues! Grafika është lloj i arteve figurative, i cili e pasqyron realitetin kryesisht me linjën dhe sipërfaqen bardhë e zi, në plane të rrafshëta dhe me ngjyra të kufizuara. Përfshin vizatimin dhe gravurat e teknikave të ndryshme. Të natyrës së grafikës janë pikturat parahistorike të shpellave në Shqipëri të fundit të mijëvjeçarit III dhe fillimit të mijëvjeçarit II p.e.s. Të rralla janë dëshmitë e vizatimeve të miniaturave të kodikëve, si dhe ndonjë vizatim përgatitor që është gjetur i pikturave të murit dhe i ikonave mesjetare. Vizatimi i mirëfilltë figurativ nis të lëvrohet nga piktorët e Rilindjes. Pas viteve ’40 grafika u zhvillua krahas pikturës e skulpturës.
