Letër e nënshkruar,
Vasil Puci
Shpeshherë brumin që gatuajmë për gazetën DITA e gjejmë vetë, e përpunojmë dhe gazeta shpesh na i pjek, bile falas. Këtë herë brumin ma dhe intervista e Mira Kazhanit me këngëtaren Elhaida Dani për datën 1 Mars 2015. Sa bukur flet gazetarja me këngën, pra kulturën, pjesë që i ndeshim rrallë në shkrimet tona. Mira Kazhani hedh poshtë mendimin se askush nuk është i “rrahur” nga gazetaria, as sociologët e as psikologët, e as ekonomistët. Le të dalim te 2 gishtat.
Ja çfarë thotë Elhaida Dani: “Nuk më pëlqen ai gjest… Nuk pendohem kurrë pse e bëra, sepse nuk dua të përdorem politikisht, ndonëse unë kam respekt për shumë politikanë…” E mira vajzë, e shtrenjta këngëtare që ke vuajtur aq shumë e po vuan për të dalë në Eurovizion. Po ju akoma me atë shpirt floriri që ke, nuk i ke parasysh grackat apo shkopinjtë në rrota që të fut Televizioni Kombëtar. Po mos u mërzit Elhaid, se skena e këngës ka parë dhe më keq. Zëri i mrekullueshëm i këngëtarit Kozma Dushi i qurravitej Sali Berishës për të zgjedhur edhe një herë Lefterin, bile me orkestër e foni, gjestet e tij ishin të llahtarshme e përgjëruese. E shikon Elhaida sa larg janë zërat, sa shpejt shiten zemrat dhe sa mirë përdoren politikisht këngëtarët? Krahasimi e shtrenjta Elhaida është ky. Ti ja ule gishtat znj.Topalli, Kozma Dushi ja ngriti gishtat Saliut me këngë Elhaida, me këngë. Po ti mos u merr me prapësitë tona. Ne do të votojmë me zemër, këtu e në Diasporë, në të gjithë botën. Gishtat apo grushtat nuk të çojnë në Europë, ato veç na përçajnë.
