Nga 90-ta e tëhu, ne, shqiptarët iu prezantuam botës si ndër më të vuajturit e më fatkeqët e kësaj bote, duke marrë arratinë prej vendit, ashtu siç dhe afrikanët do e na kishin zili. Dhe ajo që më s`paku kërkonim nga ‘bota e lirë’, atje ku vinim këmbët, ishte pak bukë e ujë si fillim, nëse ishte e mundur, e më pas që mos na kthenin nga erdhëm. Kaq. Dhe nuk po iknim nga ndonjë luftë. Barktharë ishim, por jeta gjithsesi nuk na rrezikohej. Si me zorr e me të shtyrë, edhe mund t`ja dilnim pa u vetëqëruar, siç ia dolën plot shqiptarë të tjerë. E pas kaq vitesh, na qëllon të jemi ne ata ku të tjerët vënë këmbën, duke kërkuar të njëjat gjëra si dhe ne. E theksoj: nuk ikin thjesht nga varfëria. Ikin nga një luftë e llahtarshme që nuk kursen asgjë. Për ta, luksi i vetëm i kësaj bote drejt të cilit rendin duke ecur me mijra kilometra, është paqja, vetëm paqja; është ajo siguria më minimale se nuk do ndodhë që mbas pak çastesh, ndonjë plumb e predhë t`u marrë jetën fët e fët, siç thuhet me bukë në gojë. Bëhet fjalë pra, për sirianë të ikur prej tmerreve që po ndodhin në vendin e tyre, e që ndodh të na mbijnë para syve, duke na sprovuar rëndë në humanitetin tonë, individual ose institucional. Një realitet i tillë ndodhi të enjten, në portin e Sarandës, ku një kontigjent prej afro 50-60 sirianësh, u grumbulluan aty si bagëti, për t`u rikthyer sërish në Greqi, prej nga ku kishin ardhur në rrugë tokësore. Po u binte pika kur mendonin se kthim në Greqi, do të thoshte për ta kthim sërish në Siri; pra rikthim në ferr. E kjo, nuk u morr si e dhënë prej tyre nga ndonjë segment institucional, zyrtar a shtetëror, por nga një njeri që iu avit atyre krijesave, thjesht duke i parë si njerëz: Auron Tare. “Zoti ia shpërbleftë me të mira Auronit që u përkujdes ndaj atyre njerëzve me aq përkushtim” – vlerësoi dhe hoxha i qytetit, që ndihu në rolin e përkthyesit nga arabishtja. Një ditë të tërë, për ta, Tare u bë mik e vëlla, duke u interesuar për jetët e tyre, fatin që i kish sjellë aty; i ushqeu e u dha të pijnë me shpenzimet e veta, e në fundi bëri çmos derisa u mundësoi të mos udhëtonin drejt Greqisë, por drejt Tiranës, aty ku janë akomoduar nga shteti në një qendër emigrantësh. Se si do shkojë fati i tyre i mëtejshëm nuk dihet, por Tare thotë se shtetit e shoqërisë sonë, i takon të ketë një ndjeshmëri të lartë ndaj këtyre njerëzve, që sërish duhet theksuar, jo varfëria, por lufta i ka detyruar ta lënë tokën e tyre; një ndjeshmëri që duhet të vijë nga fakti se deri vonë, ishim edhe ne si ata.
P.S. Ndryshe nga ne, që bënim dhe potere në tokën e tjetrit – kujtojmë eksodin e gushtit `91 në Bari të Italisë, ku stadiumi i këtij qyteti u shndërrua në fushëbetejë të grupeve rivale me të vrarë e të plagosur, e ku bandat e krijuara aty për aty si nevojë e mbijetesës, plaçkitnin bashkombasit e tyre në hall – të ardhurit nga Lindja, prej luftës a varfërisë, ata i sheh të struktur e kruspullosur në një qosh, që heshtin e s`bzajnë. Mjafton kaq, që t`u qasesh më sadopak humanizëm!
E.H

Kjo duhet te behet nga struktura shteterore. Jane refugjate lufte e zoti e di cka kane hequr derisa mberriten ketu. Auronit bravo i qofte. Ky popull e jo shtet, ka pritur greket e italianet qe na kishin sjelle aq vuajtje e jo me sirianet.
Ore Mustafa , a mund te na i sqarosh , italianet e greket , kur i paskemi pritur ndonjehere ? Veç kesaj cilat na qenkan vuajtjet qe na paskan sjelle italianet ? Italia erdhi ne Shqiperi si pushtuese me 1939 dhe , siç dihet , kapitulloi me 1943-shin . Ne keto kater vjet , ndertoi Tiranen dhe te gjitha qendrat e qyteteve shqiptare . Sikur te kishte zgjatur edhe pak ky pushtim , do te ishim bere edhe neve si tere Evropa …Mos ke zbritur nga ndonje planet tjeter dhe nuk ambientohesh dot me Token ? Ka nja njezet vjet qe ne Greqi e Itali , jetojne qindra e mijra familje shqiptare , po ti siç duket ke mare vesh te kunderten , sikur jetojne ne Shqiperi greke e italiane ; s’ka gje , ca nga ca do ambientohesh edhe ti me situaten . Mos ndoshta te kane thene qe ky vapori ne foto , eshte mbushur plot me italiane e greke ?!
Sa keq ju arrdhka juve , zoti Ermir Hoxha per keta refugjate arabe , qe duhen pritur e trajtuar ! Nga ana humanitare jam dakord edhe une , po te mos kishim ne mez nje problem “te vogel” . Agjensite e zbulimit dhe inteligjencies amerikane e anglese , perfshire FBI e CIA (sipas informatave te tyre shume te sigurta) , kane paralajmeruar se fundi , se terroristet e ISIS , mund te penetrojne ne Evrope e gjetke , nepermjet emigracionit , duke u kamufluar si refugjate klandestine , pasi rruget e tjera legale per levizje , jane rreptesisht te kontrolluara . Kemi mjete e mundesi neve shqiptaret , qe te bejme diferencimin midis emigranteve te zakonshem dhe terroristeve islamike ? Madje , per mendimin tim , nuk ka rruge me pak te rrezikshme per nje xhihadist , se sa kufiri shqiptar .